Prej 839 dëshmitarëve, aq sa propozuan avokatët e Kiril Bozhinovskit, Mile Janakieskit, Ilija Dimovskit dhe Leko Ristovskit, Këshilli Gjykues në Gjykatën Penale të Shkupit i udhëhequr nga gjykatësi Osman Shabani, ka pranuar më pak se gjysma. Shabani tha se dëshmitarët refuzohen pasi që janë të propozuar në rrethana të njëjta, me qëllim që të zvarritet procesi.
Me këtë sot edhe zyrtarisht, pas përpjekjeve të pasuksesshme njëvjeçare filloi procesi gjyqësor “Talir” në të cilin në mungesë i gjykohet të akuzuarit të parë, Nikolla Gruevski.
Prokurorja Lençe Ristoska, fjalët hyrëse i filloi me të akuzuarin e parë, për të cilin tha se në periudhën prej 01.012015-të deri më 31.12.2015, me qëllim që VMRO-DPMNE të përfitojë përparësi përpara konkurrencës politike ka mundësuar që në mënyrë të paligjshme të financohet partia me vlerë të përgjithshme prej 4,6 milionë euro, duke e keqpërdorur funksionin kryeministër i Maqedonisë.
Gruevski është i akuzuar për veprën penale keqpërdorim të detyrës dhe autorizimit zyrtar, larje parash. Për të njëjtat vepra akuzohen edhe Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski. Nga ana tjetër, Ilija Dimovski, Leko Ristoski dhe Elizabeta Çingovska akuzohen për veprën penale larje parash, bashkë me partinë e tyre VMRO-DPMNE.
Çingarovska e pranoi fajin dhe mori dënim me kusht.
Ish kryeministri i arratisur duke e keqpërdorur detyrën zyrtare, në mënyrë të paligjshme ka siguruar mjete financiare nga burime anonime dhe të paligjshme për ta financuar partinë VMRO-DPMNE. Në këto aktivitete, sipas PSP-së, është ndihmuar nga të akuzuarit, Kiril Bozhinovski dhe Mile Janakieski të cilët në drejtim të sigurimit të mjeteve për kryerjen e veprës penale, kanë kryer trysni ndaj kompanive nga Manastiri, Kavadari Shkup…, të cilët kanë nënshkruar marrëveshje për furnizime publike me organet shtetërore, ndërmarrjet publike, njësitë e vetëqeverisjes lokale, që të njëjtit të sigurojnë para të gatshme për nevojat e financimit të partisë VMRO-DPMNE si shpagim për marrjen e tenderëve për furnizime publike dhe profitit që e kanë realizuar.
Paratë e gatshme të cilat janë siguruar, tha Ristoska, i akuzuari Gruevski nuk ua ka kthyer personave që u janë marrë, gjegjësisht nuk i ka dorëzuar në Buxhetin e RM-së, ashtu siç e ka pasur për obligim që ta bëjë sipas ligjit për financim të partive. Kështu, ka përvetësuar mjete financiare të paligjshme me vlerë prej së paku 283.432.656 denarë, gjegjësisht 4.608.661 euro. Me qëllim që të fshihet vepra penale, të akuzuarit Nikolla Gruevski dhe Kiril Bozhinovski në periudhën prej 2011 deri 2015-të bashkë me Mile Janakieskin dhe Elizabeta Çingaroskën kanë organizuar që mjetet të transferohen në llogarinë bankare të partisë politike VMRO-DPMNE nëpërmjet fletëpagesave në para të gatshme në të cilat janë shkruar të dhëna të pavërteta se pagesën e kanë kryer personat e theksuar në fletëpagesa, edhe pse nuk ka qenë ashtu.
Pasi që paratë të cilat kanë ardhur nga vepra penale janë transferuar në llogarinë bankare të VMRO-DPMNE-së, të akuzuarit, Ilija Dimovski, Elizabeta Çingorska, Leko Ristoski dhe Mile Janakieski si nënshkrues të autorizuar të llogarisë bankare të VMRO-DPMNE-së edhe pse e kanë ditur se paratë vijnë nga vepra penale, i kanë lëshuar në rrjedhë të mëtutjeshme me nënshkrim të urdhrave për pagesë të obligimeve dhe blerje të pronës së patundshme për partinë politike VMRO-DPMNE.
Ristoska tha se të gjithë këto gjetje do t’i dëshmojë me dokumente, fletëpagesa dhe deklarata nga dëshmitarët. Merret parasysh edhe pranimi i fajit nga njëri prej të akuzuarve.
Të arratisurin Gruevski nuk e përfaqësojnë avokatët e tij, por avokatja sipas detyrës zyrtare. Avokatët e tij janë të pranishëm, por për fjalët hyrëse për Bozhinovskin, Janakeskin, Dimovskin dhe Ristovskin.
Avokatja zyrtare, e cila i është ndarë sipas detyrës zyrtare, tha se Gruevskin do ta lirojë nga faji./Portalb