Doktorët e politikës. Shërojnë pacientë, mundohen ta “shërojnë” edhe shtetin


Me profesion mjek, por edhe me dëshirën për t’u marrë me politikë. Partitë politike në vend ka shumë doktorë në kuadrot e tyre.

Shkuam në qendrën klinike “Nënë Tereza” dhe folëm me tre prej tyre.

Zëvendëskryeministër, njëherazi edhe zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani është kirurg. Një herë në javë kryen operime, ndërsa për TV21 rrëfen se e nisë dhe e fillon ditën duke vizituar pacientët e tij. Por pse Osmani i është futur politikës kur mund që 100% t’i përkushtohej mjekësisë?

“Mua nuk ma ka ndryshuar axhendën në mjekësi angazhimi im në politikë për shkak se të njëjtën do e bëja edhe po të mos isha në politikë. Mendoj se është mirë që njerëzve t’u jepet mundësi për shkak se po ua kufizuat mundësinë për të kontribuuar edhe në fusha të tjera ata kërkojnë edhe zgjidhje tjetër. Jo rastësisht ligjet e fundit që kemi miratuar u lejohet mjekëve të jenë deputetë, u lejohen të jenë ministra, u lejohet ministrave dhe deputetëve që të punojnë dhe avancohen në karrierën e tyre politike, për shkak se ashtu të gjithë profesorët, mjekët, do ikin nga politika. Kujt do t’i mbetej politika nëse më të mirët ikin nga politika? Po i vlerësoj unë mjekët si më të mirët…”, deklaroi Osmani.

Oftalmologu Bekim Tateshi është bërë pjesë e Aleancës Për Shqiptarët me qëllimin e përmirësimin e politikave të gabuara në sistemin e shëndetësisë.

Sa mendoni se është pengesë që ju të keni edhe angazhim në politikë por të jeni edhe mjek. E pengojnë njëra tjetrën?

“Është normale që e pengon sepse mjekët që punojnë në mjekësi terciare normale që kanë angazhime më të mëdha mirëpo kur bisedoni në shtëpi me fëmijët e tu dhe ata shprehin dëshirë për të dalë jashtë shtetit, atëherë u shtohet një vullnet më i madh që më së pari t’i bindësh fëmijët e tu që ata së pari të mos e lëshojnë shtetin, por edhe fëmijët e kolegëve të tjerë dhe shoqërisë në përgjithësi. Prandaj mendoj që ne si mjek por edhe i politikanë nëse në 5 vitet e ardhshme nuk e zvogëlojmë migrimin e mjekëve, atëherë unë atë do ta quaj si dështim së pari si person, si prind e pastaj si njeri që angazhohet për të mirën e mjekëve të rinj në Maqedoni”, theksoi Tateshi.

Që në 2011 pjesë e politikës është edhe pulmologu Arben Llabënishta që tani është pjesë e Alternativës.

“Nuk ka të bëjë vetëm me sistemin shëndetësor. Një pjek ndoshta nuk duhet të gjykohet thjesht se mund të kontribuojë në sistemin shëndetësor. Unë mendoj se mjekët mund të kontribuojnë edhe në fusha të tjera të cilat lidhen drejtpërdrejt me mirëqenien e popullatës dhe qytetarëve aty ku futet dhe vetë mjekësia. Absolutisht se sistemi ynë shëndetësor nuk varet vetëm nga performacat e tij por edhe nga fusha të tjera që kanë ndikim të drejtpërdrejt, si ekonomia, ambienti jetësor, arsimimi edukata, niveli i punësimeve, dashur pa dashur janë pjesë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e popullatës sonë dhe mirëqenien e qytetarëve”, potencoi Llabënishta.

Krahas këtyre, ka edhe shumë mjek të tjerë në parti politike. Në radhët e Lëvizjes Besa është specialisti Hulusi Asipi. Tek BDI-ja tashmë kohë të gjatë është mjeku Ilir Hasani i cili po përflitet edhe si bartës liste në këto zgjedhje. Njëjtë është përfolur edhe emri i stomatologut Bekim Sali nga Alternativa. Vetë kreu i Aleancës për Shqiptarët Ziadin Sela me profesion është mjek, si edhe bashkë partiaku i tij Arben Taravari.