“Segi dhe Helena”, nga Tirana në Beograd: Historia e dy vajzave adoleshente, shqiptare dhe serbe që takohen përmes Vatrës (VIDEO)


Për të shkuar në Beograd me pasaportë shqiptare, ka dy rrugë tokësore, ose Kosovë-Maqedoni e Veriut, Luginë e Preshevës, Serbi, përmes kufirit në Tabanoc, ose përmes Malit të Zi në pikën kufitare midis Malit të Zi dhe Serbisë afër Plevles. Nisemi nga Tirana drejt Shkodrës për të kaluar kufirin për në Mal të Zi dhe prej andej drejt kufirit me Serbinë.

Nga Podgorica deri në Beograd, nuk të sheh syri asnjë fushë, qoftë edhe të vogël, vetëm male që ngrihen frikshëm anësh lumit Moraca, sikur duan të shqyejnë njëri-tjetrin. Anash rrugës, shtëpi dykatëshe ose njëkatëshe alpine dhe borë që herë bie e herë ndalet. Po shkojmë në periferi të Beogradit, aty ku jeton Helena me familjen e saj dhe në rrugën e kthimit, do të ndalemi në periferi të Tiranës, ku jeton bashkëmoshatarja e saj, Segi, me familjen e saj.

Dy vajzat e vogla, 13 vjeçare, Segi nga Tirana dhe Helena nga Beogradi, nuk kanë parë ndonjëherë ndonjë bashkëmoshatare të tyre nga vendet respective, por udhëtojnë këtë herë përmes Vatrës bashkë me familjet e tyre. Janë njerëz të shtresës së mesme, punojnë dhe marrin rrogat me të cilat përballojnë buxhetin familjar, pa ndonjë luks, por megjithatë, duke bërë jetë normale, për fëmijët, por edhe për vete.

Babai i Helenës, Milan Maric ka dalë të na presë ndërsa Helena dhe nëna e saj Milana janë në shtëpi. Helena shkon në një shkollë publike në Beograd, ende nuk ka vendosur çfarë do të bëhet kur të rritet, por i pëlqen historia. Tani në shkollë mësojnë për pushtimin ottoman.

“Perandorinë Otomane. Po mësojmë për luftërat atëherë dhe cdo gjë që turqit bënë ndaj Serbisë kur e pushtuan. “

Helena nuk ka parë asnjëherë një shqiptare apo shqiptar.

“Jo, jo, kurrë…por shoqja ime që jetonte në Beograd shkoi në Suedi dhe në shkollën e saj ka shumë nga Maqedonia, Kosova, Bosnja dhe nga këto vende. Ajo ka takuar shumë prej tyre dhe janë vërtetë njerëz të mirë. Ajo është shoqe me ta.”