Bordi i shkarkuar i Trepçës “kërcënon” qeverinë e Albin Kurtit


Ish-Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” ka reaguar pas shkarkimit nga Qeveria e Kosovës.
Ata thanë se përmes mediave e kishin kuptuar vendimin e Qeverisë për shkarkimin e tyre , të cilët deklaruan se ishte pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë takim paraprak të ministrisë përgjegjëse me anëtarët e bordit mbikëqyrës, për të kuptuar për së afërmi gjendjen në ndërmarrjen Trepça.

“Qeveria e mori këtë vendim duke mos bërë as edhe një analizë të vetme të gjendjes në ndërmarrje dhe punës së Bordit Mbikëqyrës, me një arsyetim të pakuptimtë, tendencioz dhe me qëllime puro politike. Se kishte tendenca ndaj bordit të Trepçës e dëshmon edhe presioni i ministres përmes email-ve të dërguar zakonisht në mesnatë duke tentuar që të përfshihet në mënyrë flagrante në punët menaxheriale të ndërmarrjes”.

“Prandaj, duke mos pasur edhe asnjë arsye të vetmen për shkarkimin e Bordit Mbikëqyrës të Trepça sh.a., ministrja arsyetoj propozimin për shkarkim me kinse “shkelje e detyrave fiduciare” term të cilin në mbledhjen e kaluar të Qeverisë e përdorën si “detyra financiare”.

Arsyetimi për shkarkimin e Bordit të Trepçës, kishe dy pretendime; pretendimi i parë se janë lëshuar prona me qira, si dhe pretendimi i dytë kishte të bëjë me konkursin e fundit në ndërmarrje”.
Ata më tej thanë se “Bordi Mbikëqyrës i Trepça” është emëruar me 4 Prill të vitit 2018-të, duke u bërë kështu Bordi i parë i Ndërmarrjes.
“Gjatë periudhës për më pak se dy vite, Bordi Mbikëqyrës i Trepçës ka kryer me dinjitet dhe me përgjegjësi të plotë morale e penale gjitha obligimet karshi Ligjit për Trepçën, Ligjit për Ndërmarrjet Publike, si dhe legjislacionit tjetër në fuqi”.

“Gjatë kësaj periudhe, Trepça është përfaqësuar me dinjitet në nivelet më të larta të organizimeve kombëtare e ndërkombëtare, kemi pritur shumë organizata të ndryshme ndërkombëtare, investitor të interesuar në sektorin minerar, si dhe organizata të fokusuara në mbrojtjen e ambientit”.

“Gjithsesi, Bordi Mbikëqyrës do ta shqyrtojë mundësinë për ankesë dhe padi ndaj ministres Hajdari lidhur me prezentimin e arsyetimeve të pavërteta, si dhe tentimin për të njollosur punën e Bordit Mbikëqyrës të Trepçës”, thuhet në njoftimin e Bordit të Trepçës.