Mbi 100 zyrtarë policorë të akuzuar e gjykuar për korrupsion, brenda një viti 64 u larguan nga puna

Prania e lartë e korrupsionit, siç është vlerësuar shpesh si endemik edhe në Raportin e Progresit, nuk ka lënë pa prekur edhe sektorin e sigurisë në Kosovë.

Përveç institucioneve qendrore e lokale, përfshirjes në afera të ndryshme korruptive nuk u kanë ‘shpëtuar’ edhe shumë zyrtarë policorë të Kosovës.

Gjatë vitit 2017, e deri gati në gjysmën e parë të këtij viti, nga monitorimi sistematik i Institutit të Kosovës për Drejtësi që i bënë sistemit të drejtësisë në vend, janë gjithsej 101 zyrtarë policorë, të cilët janë gjykuar për vepra penale të korrupsionit.

Ata janë akuzuar për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrja e ryshfetit”, “ushtrimi i ndikimit”, “falsifikimi i dokumenteve zyrtare”, “zbulimi i fshehtësisë zyrtare”, e të tjera.

Nga këta 101 zyrtarë policorë të gjykuar në Gjykatat Themelore në Kosovë, 32 prej tyre janë shpallur fajtorë.

Dënimet të cilat i kanë shqiptuar gjykatat ndaj këtyre zyrtarëve policorë kanë qenë nga gjashtë muaj burgim efektiv dhe 500 euro gjobë deri në 31 muaj burgim dhe tre mijë euro gjobë.

Ndërsa, nga 101 prej tyre, shtatë zyrtarë policorë janë shpallur të pafajshëm nën akuzën për kryerjen e veprave korruptive, përderisa edhe 62 të tjerë, janë duke u gjykuar nën dyshimin se kanë kryer veprat penale të korrupsionit.

Dy rastet më të mëdha të përfshirjes së policëve në afera korruptive kanë qenë në Mitrovicë dhe në Prizren.

Në Prizren tashmë është shpallur aktgjykimi ndaj 20 zyrtarëve policorë që akuzoheshin për veprën penale të marrjes së ryshfetit, apo siç njihej ndryshe rasti i “policëve të autostradës”.

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit, 20 zyrtarët policorë, më 4 janar 2018, ishin shpallur fajtorë dhe ishin dënuar me nga gjashtë muaj burg efektiv dhe 500 euro gjobë, për secilin rast ku kanë marrë ryshfet për mos shqiptim të tiketave kundërvajtëse, për të cilat prokuroria, gjatë seancave gjyqësore, kishte prezantuar provat me anë të video incizimeve të mbledhura nga masat e fshehta.

Në mesin e këtyre 20 policëve, dënimet më të larta janë shqiptuar ndaj 13 prej tyre, të cilët përveç kësaj akuze, janë akuzuar edhe për vepra të tjera të korrupsionit, me ç’rast janë dënuar deri në 31 muaj burgim efektiv dhe tre mijë euro gjobë.
Kurse, rasti i dytë më i madh i përfshirjes së zyrtarëve policorë në vepra penale të korrupsionit, ka qenë në rajonin e Mitrovicës, por që në këtë rast ende nuk ka përfunduar procesi i gjykimit.

Ky rast përfshinte gjithsej 59 zyrtarë policorë që akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku nga të arrestuarit, 35 policë kanë qenë të komunitetit shqiptar, 23 të komunitetit serb dhe një nga komuniteti boshnjak.

Me vendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ishte veçuar procedura ndaj zyrtarëve të Njësitit Rajonal në veri të Mitrovicës, dhe atyre të Njësitit Rajonal në jug të Mitrovicës.

35 zyrtarë policorë janë akuzuar nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës, se duke shfrytëzuar detyrën e tyre zyrtare si punonjës të Policisë së Kosovës në Njësinë Rajonale të Komunikacionit, kanë pranuar para në shuma të ndryshme nga kundërvajtësit në trafik.

Pas veçimit të procedurës dhe mbajtjes së seancave fillestare, 35 policët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën me të cilën i ngarkon Prokuroria Themelore e Mitrovicës, me ç’rast Gjykata Themelore në Mitrovicë, më 16 prill 2018, ka konfirmuar aktakuzën për marrje ryshfeti ndaj 14 zyrtarëve policorë të Stacionit Policor në jug të Mitrovicës, ndërsa për njërin e ka hudhur aktakuzën në mungesë të provave.

Ndërkaq, numër më të vogël të zyrtarëve policorë të gjykuar për vepra të korrupsionit ka pasur në Gjykatat e tjera në Republikën e Kosovës, atë të Pejës, Gjilanit, Gjakovës, Ferizajt dhe të Prishtinës, ku dënimet ndaj tyre kryesisht kanë qenë me kusht.

Me nga gjashtë muaj burgim me kusht, ishin dënuar gjithsej tre zyrtarë policorë në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe atë të Ferizajt, ndërsa me 10 muaj burgim me kusht ishte dënuar një polic në Gjykatën Themelore në Gjilan.

Më 30 prill të këtij viti, dy zyrtarët policorë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Zenel Telaku dhe Liri Bibaj, janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht.

Sipas aktgjykimit të shpallur, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës dy vjeçare, gjegjësisht një vjeçare, për të akuzuarin Bibaj.

Kurse, më 10 maj të këtij viti, dënim me kusht ishte shqiptuar edhe ndaj policit kufitar në Han të Elezit, Shpëtim Bela, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndaj tij, Gjykata Themelore në Ferizaj, kishte shqiptuar dënim me gjashtë muaj burgim me kusht, por që ky dënim nuk do të ekzekutohet nëse ai gjatë periudhës prej një viti nuk kryen vepër tjetër penale.

Edhe Gjykata Themelore e Gjilanit, ka shqiptuar 10 muaj burgim me kusht, i cili nuk do të ekzekutohet nëse në periudhën prej dy viteve të mos kryej vepër tjetër penale, ndaj policit Xhevahir Xhymshiti, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndryshe, mjaft të pranishme janë rastet kur përveç veprave penale të korrupsionit zyrtarë të shumtë policorë gjykohen edhe për vepra të tjera penale, kryesisht të kontrabandës.

Në disa prej këtyre rasteve, të monitoruara e raportuara nga “Betimi për Drejtësi”, e ku zyrtarët policorë janë akuzuar e gjykuar për vepra të korrupsionit, aktakuzat janë ngritur vite më parë, por që gjykimet janë zhvilluar gjatë vitit 2017 si dhe në pjesën e parë të vitit 2018.

Kurse, sa i përket vetëm periudhës 1 janar 2017, deri më 22 maj 2018, numri i zyrtarëve policorë të akuzuar për korrupsion, është 74.
Një shifër të tillë, e ka bërë të ditur zyra për media në Policinë e Kosovës, nëpërmjet një përgjigjeje që ka kthyer për “Betimi për Drejtësi”.

E sa i përket masave që janë ndërmarr ndaj policëve të akuzuar për korrupsion, për këtë periudhë, 64 zyrtarëve policorë u është ndërprerë marrëdhënia e punës në Policinë e Kosovës.
Përveç largimit nga puna, ndaj policëve të akuzuar apo gjykuar për vepra të korrupsionit, janë marrë edhe masa tjera.

“Për shkak të dyshimit se është kryer ndonjë vepër penale me elemente korruptive, gjithsej 64 zyrtarëve policorë u është ndërprerë marrëdhënia e punës, përderisa masat e tjera disiplinore që u janë ekzekutuar zyrtarëve policorë të akuzuar kanë qenë, vërejtje me shkrim dhe ndalesë në pagë”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Nga këto 74 raste, ku zyrtarët policorë janë të akuzuar për korrupsion, sipas përgjigjes, të bazuara sipas Policisë së Kosovës janë 70, ndërsa të paargumentuara janë 4 raste.

Ndryshe kësaj, edhe një profil i lartë brenda Policisë së Kosovës, ishte përfshirë në afera korruptive.

Bëhet fjalë për tashmë ish-drejtorin e Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri, i cili akuzohet për veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “pengimi i të provuarit” dhe “moslajmërimi i veprave penale apo kryesve të tyre”.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), në maj të këtij viti, ka ngritur aktakuzë ndaj tij si dhe biznesmenit Rrahim Hashimi.

Ata ndër të tjerash akuzohen se u kishin marrë 100 mijë euro drejtuesve të organizatës Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD), për t’ua mbyllur një rast.

Seanca fillestare ndaj tyre është mbajtur më 16 maj, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Ndërkaq, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), në një përgjigje për “Betimi për Drejtësi” ka bërë të ditur se në vitin 2017, gjithsej 43 zyrtarë policorë janë hetuar dhe janë dorëzuar 17 kallëzime penale dhe 22 raporte të veçanta në prokuroritë kompetente nën dyshimin për kryerjen e veprave penale të korrupsionit dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare.

“Në vitin 2017 nga Inspektorati Policor i Kosovës, gjithsej 43 zyrtarë policorë janë hetuar për veprat penale nga kapitulli i XXXIV i Kodit Penal: Korrupsioni zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare si dhe pesë ( 5) raste janë trajtuar me persona N.N. Inspektorati Policor i Kosovës në vitin 2017 me dyshimin se janë kryer veprat penale nga kapitulli i XXXIV i Kodit Penal ka dorëzuar në prokuroritë kompetente 17 kallëzime penale dhe 22 raporte të veçanta.”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

IPK-ja ka bërë të ditur se ky institucion edhe në tre mujorin e parë të vitit 2018, ka pranuar dhe menaxhuar 326 ankesa dhe informata ndaj zyrtarëve policorë që ndërlidhen me kryerjen e veprave korruptive.

“Gjatë tre mujorit të parë të 2018-ës IPK ka pranuar dhe ka menaxhuar me 326 ankesa dhe informata. Prej tyre njëqind e dyzet (140) ankesa janë dërguar në Departamentin e Hetimeve –IPK, për hetim penal, kurse 183 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës, një ( 1) ankesë është dërguar në institucion tjetër dhe dy ankesa ( 2) janë mbyllur në IPK”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit Policor të Kosovës.

Lidhur me masat e ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës, ndaj zyrtarëve policorë të akuzuar për vepra korruptive, në përgjigjen për “Betimi për Drejtësi” thuhet se në rast se rezulton se nga zyrtari policor ka kryer ndonjë vepër penale me elemente korruptive, vjen deri te largimi nga puna.

”IPK në kuadër të kompetencave ligjore dhe fushëveprimit të saj trajton me prioritet të lartë secilin informacion dhe ankesë që ndërlidhet me veprat korruptive. Pas përfundimit të hetimit të rasteve të njëjtat dorëzohen me kallëzim penal apo raport të veçantë në prokuroritë kompetente. Në rast se nga hetuesi i cili heton rastin, vlerësohet se prezenca e zyrtarit policor që është duke u hetuar, pengon në procedurën hetimore atëherë IPK rekomandon masën e suspendimit, transferim apo ndonjë masë tjetër administrative deri në përfundim të procedurës hetimore. Krahas hetimit penal që zhvillohet nga IPK-ja, Policia e Kosovës inicion edhe procedurë administrative për dyshimin për shkelje disiplinore dhe kodit të etikës së policisë. IPK pas përfundimit të hetimeve dhe konsultimeve me prokurorinë kompetente i ofron të gjitha materialet – shkresat që ka në dispozicion për zhvillimin e suksesshëm të kësaj procedure administrative. Në të gjitha rastet që rezulton se krahas dyshimit se është kryer ndonjë vepër penale me elemente korruptive kryhet edhe procedura administrative – disiplinore e cila nëse vërtetohet atëherë zyrtari policor largohet nga puna”, thuhet në përgjigjen e IPK-së.

Por, as Inspektorati Policor i Kosovës, nuk i ka shpëtuar përfshirjes në afera të ndryshme të ushtrimit të ndikimit dhe favorizimeve në punësim në kuadër të konkurseve që ka hapur ky institucion.

Emisioni “Betimi për Drejtësi”, në janar të vitit 2018, kishte shfaqur hulumtimin për ndikimet në konkursin për 17 pozita inspektor/hetues në IPK.

Në atë emision shpërfaqej ndikimi që kryeshefi, tashmë i suspenduar i IPK-së, Hilmi Mehmeti, kishte bërë që djali i axhës së tij dhe një kandidate tjetër, të përzgjidheshin në këto pozita, pavarësisht se te dy kandidatët nuk e kishin kaluar fazën e dytë të testimit, atë fizik.
Pas këtij skandali, ishte suspenduar nga puna kryeshefi Hilmi Mehmeti dhe që për situatën e krijuar në këtë institucion ishte debatuar edhe në komisionet parlamentare si dhe në seancat e Kuvendit të Kosovës.

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në kuadër të angazhimit të tij si pjesë e shoqërisë civile, ka propozuar themelimin e Gjykatës Speciale për rastet e korrupsionit.

Përveç kësaj, ky institut ka propozuar edhe nisjen e procesit të Vetingut në Kosovë, e që sipas tij, ky proces do të duhej të përfshinte Prokuroritë, Gjykatat si dhe Policinë e Kosovës.