Për shkak të kërkesës së lartë për furnizim nga ana e farmacive, depot farmaceutike po abuzojnë me çmimet e maskave apo të higjenizuesve që përdoren si masa parandaluese ndaj coronavirus, çka sjell dhe rritje të çmimit final tek qytetarët.
Farmacitë në kryeqytet bëjnë me dije jashtë kamerës së SCAN, se nëse para një jave një kuti maskash të thjeshta që përmban 50 maska të thjeshta blihej nga depot me çmim 150 lekë, tashmë ka shkuar në 450 lekë.
Duke bërë që një maskë e thjeshtë të shitet tek qytetarët në 20 lekë, nga 10 lekë që ishte çmimi i mëparshëm.
Ndërsa çmimi i maskave me karbon është rritur nga depot nga 150 lekë në rreth 700 lekë. Po ashtu është rritur ndjeshëm edhe çmimi i alkoolit 100 ml dhe higjenizueseve duke kapur çmime nga 200-300 lekë, ndërsa më parë shiteshin 50-100 lekë.