Paralajmërimet e kryeministrit Albin Kurti se së shpejti do të hiqet taksa ndaj mallrave serbe, kanë filluar të kundërshtohen edhe me kundërshtime fizike.
Një veprim i tillë ka ndodhur ndaj zv.kryeministrit Avdullah Hoti.
Hoti përderisa ishte duke ecur afër objektit të Qeverisë, është sulmuar me vezë .
Këtë veprim, Zëvendëskryeministri i parë ka thënë se po e bëjnë ata që duan ta mbajnë të izoluar Kosovën, raporton KTV.
“Qeveria e re, me LDK-në brenda si partner kyç, nuk bën kompromis me miqësinë me SHBA-në. Sinjalet e qarta nga Qeveria e re se krimi ekonomik, zhvatja dhe kapja e shtetit po marrin fund i kanë trishtuar ata që na kanë mbajtur të izoluar. Ne nuk do të lejojmë që raportet me miqtë tanë të nëpërkëmbën për interesa elektorale. Ne jemi të vendosur t`i japim vendit zgjidhje, bashkë me miqtë tanë”, ka shkruar Hoti.
Sulmin ndaj Hotit e ka dënuar Lidhja Demokratike e Kosovës.
“Kosova ka nevojë për qetësi, maturi dhe unitet në politikëbërje dhe udhëheqje të vendit”, thuhet në reagim e kësaj partie.
Pavarësisht këtij sulmi, Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se taksa 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe atyre të Bosnjës duhet të hiqet.
Mustafa ka thënë se ende nuk janë përcaktuar modalitetet e reciprocitetit.
Ai ka thënë se nga SHBA-ja dhe BE-ja po kërkohet fillimi i një procesi të ri të dialogut për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.
“Në situatën aktuale të realpolitikës është e rëndësisë themelore të ruhet dhe të kultivohet partneriteti me SHBA-në dhe të vlerësohet roli prijës i tyre në këtë proces. Jam shumë i bindur se vetëm me SHBA-në mund të përmbyllet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Për më tepër, kur i dërguari special i presidentit Trump, Richard Grenell, u shpreh se SHBA-ja nuk parasheh shkëmbim të territorit”, ka shkruar Mustafa.
Edhe kryeparlametarja Vjosa Osmani, në një intervistë për Kohën Ditore, ka thënë se partnerët e koalicionit qeverisës janë në kërkim të modaliteteve për përafrimin e
qëndrimeve të kundërta rreth masës së reciprocitetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.