Migrimi nuk ka të ndalur, të rinjë e pleq presin para a mbasadës gjermane


Ata shihen duke pritur për vizë përpara Ambasadës gjermane në Shkup, pasi shumicës familjarët në Gjermani ua kanë siguruar vendqëndrimin dhe vendin e punës.
“Unë kam aplikuar për një vit dhe e kam siguruar vendin e punës atje. Do të shkoj në Hamburg. Aplikoj për herë të parë, kam pritur një vit pas aplikimit, tani jam duke pritur radhën nëse do të më japin vizën ose jo.”,- tha një qytetar.

“Unë jam nga Kumanova dhe pres të marr rezultatin për vizë pune, do të nisem për në Frankfurt, jam duke pritur me padurim vendimin e ambasadës. E kam siguruar vendin e punës që këtu, sepse kam familjarët e mi atje të cilët e kanë rregulluar terrenin.”,- u shpreh një qytetar.
Qytetarët thonë se motivi për t’u larguar nuk është vetëm çështja e punësimit dhe paga, por edhe mungesa e perspektives, mungesa e shtetit ligjor dhe korrupsioni.

“Secili kërkon diçka më mirë për vete, për punë, para dhe për një jetë më të mirë shkojnë të gjithë.”,- theksoi një qytetar. “Nuk ka punësime, nuk ka rroga, nuk ka kënaqësi, s’na merr në dorë asnjë. Ikin për jetë më të mirë. Edhe ne pleqtë do të shkojmë. Nëse shkon djali ose vajza do të shkojmë edhe ne, çka do të bëjmë këtu. Kam ardhur tërë ditën mundohem ta shes duhanin, nuk kam shitur asgjë.”,- potencoi një qytetar.

“Nuk ka perspektivë këtu, s’ka punë, s’ka jetë. Fshati im i ka 700 shtëpi, të gjithë të rinjtë kanë ikur dhe kanë mbetur vetëm pleqtë. Tash do të vijnë zgjedhjet dhe pyes veten kush do të votojë, nuk ka njerëz.”,- deklaroi një qytetar. -A keni ndonjë të afërt që jeton në Gjermani?
“Po, kemi plot. Unë për vete nuk kisha preferuar të dal kurrë jashtë.”,- u shpreh një qytetar.
Nga vendet e rajonit, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Serbia, Kroacia ose Bosnja e Hercegovina në vit migrojnë më shumë se 100.000 punëtorë, përfshirë edhe ata me arsim të lartë.