Kapja e kokainës, Policia shqiptare jep detaje

Policia e shtetit shqiptar ka dhënë detaje sot lidhur me sasinë e kokainës e kapur dje prej 1.3 tonësh në Krushopek të Shkupit.

“Në operacionin, që synonte dorëzimin e kontrolluar të një sasie të madhe kokaine, morën pjesë edhe strukturat e Policisë Shqiptare, të cilat mundësuan kalimin e dërgesës nga Mali i Zi nëpërmjet territorit shqiptar drejt Maqedonisë së Veriut, në kushte të plota sigurie dhe konfidencialiteti. Ky operacion përbën një tjetër angazhim serioz të Policisë së Shtetit në luftën kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe një dëshmi tjetër të besimit të partnerëve të saj në këtë luftë”, njofton policia e Shqipërisë.

Top Çanell raportoi më herët se aksioni anti-kokainë në fshatin Krushopek të Shkupit është pjesë e aksionit për luftë kundër krimit të organizuar në të cilën ishin pjesëmarrës edhe forcat policore italiane, shqiptare po edhe DEA amerikane.

Lëndët narkotike ishin nisur nga Kolumbia dhe e gjithë dërgesa peshonte 1.3 tonë, por policia italiane kishte zbuluar të gjithë skemën e grupit të trafikantëve si dhe kanalin nga do të kalonte lënda narkotike.

Ndërkohë mësohet se vetëm 1 kg kokainë që kishte edhe një GPS gjurmues, ishte lënë në kamionin në fjalë pasi pjesa tjetër ishte shkarkuar. Ndërsa kamioni me banane ishte lënë që të kalonte për të shkuar në destinacionin finale, njofton Top Çanell.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut kanë konfirmuar se janë arrestuar tre persona të dyshuar. Informacionet e para thonë se dërgesa e kokainës është nisur nga Kolumbia për në Bar, (Mali i Zi) e më pastaj duhej të dërgohej në Koper (Slloveni). Për momentin nuk janë zbuluar ende arsyet se pse ka ndryshuar linja dhe se si kokaina ka përfunduar në Maqedoninë e Veriut.