‘Fshesa’ – Albin Kurti nga Trepça: Do të ketë shkarkime të reja


Kryeministri Albin Kurti para protestuesve në minierën e Trepçës në Stantërg, ka paralajmëruar shkarkime të reja të bordeve nëpër institucione.

Kurti para protestuesve tha se ashtu siç veproi me Bordin e Telekomit, do të veprojë edhe me të tjerët në ditë në vazhdim.

“Dje shkarkuam bordin e Telekomit dhe do të vazhdojmë edhe me bordet e tjera por që na duhet kohë të veprojnë pasi jemi vetëm në javën e dytë të qeverisjes”, tha Kurti.

Kurti u ka premtuar se do të merret me rastin e tyre, ndërsa ka thënë se ka ikur koha e padrejtësive kur njerëzit punësohen përmes lidhjeve politike.

“Këtë s’mund ta bëjmë për një ditë as për një javë, por s’do të ndalemi, sepse nuk mjafton që i vetmi pushteti të ndërrohet qeveria, por edhe pushtetet tjera. Të gjithë ju që mendoni që keni përjetu padrejtësi duhet të ankoheni edhe ne do të kujdesemi që ankesat të shqyrtohen pa vonesa dhe me drejtësi. Janë hap konkurse nëpër fushata, për me punësu njerëz me librezë partie e mbiemra të përshtatshëm, kjo kohë duhet të marrë fund, dhe po merr fund, por unë nuk mundem për një here sot ose javën e ardhshme të rregulloj problemet që janë shkaktuar për vite”, ka thënë Kurti.