Një gjykatë amerikane ka urdhëruar “Samsung Electronics” t’i paguajë “Apple”-it plot 539 milionë dollarë dëmshpërblim për kopjimin e karakteristikave të “iPhone”-it të saj origjinal.
Vendimi i kësaj jurie përbën hapin më të fundit të një beteje të gjatë ligjore mes prodhuesve më të mëdhenj të “smartphone”-ve në botë.
Sherri nisi në vitin 2011, kur gjiganti amerikan argumentoi se “Samsung”-u koreano-jugor kishte shkelur disa patenta.
Një vit më vonë, “Apple” fitoi të drejtën të paguhej me 1.05 miliardë dollarë për dëmin e pësuar, por dy rivalët kanë luftuar fort që atëherë për shumën përfundimtare, e cila tashmë fiksohet në mbi 530 milionë dollarë.
Këto parà kërkohen për shkeljen e 3 patentave të dizajnit të “Apple”, ndërsa pjesa tjetër ishte për shkelje të dy funksioneve të patentuara. Ndryshe nga “Samsung”-u që reagoi ashpër, firma amerikane u shpreh e kënaqur me vendimin, e sidomos me faktin që anëtarët e jurisë “u pajtuan me idenë se Samsung duhet të paguajë për kopjimin e produkteve të saj”, duke theksuar se i gjithë ky rast, për të kishte qenë gjithmonë diçka më shumë sesa paratë.