Pas dy viteve rikthehet rasti “TNT”, dëgjohen dëshmi nga Prokuroria Publike


Me paraqitjen e incizimit nga debati mbikëqyrës në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut dhe prezantimin e dëshmive nga prokuroria, e të zgjedhur nga mbrojtja, sot në Gjykatën Penale filloi gjykimi për lëndën TNT që ka të bëjë me rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit, Fijat Canoski.

Gjykimi rifillon nga fillimi për shkak të ndryshimit të porotës në këshillin gjyqësor. Para fillimit të seancës, avokati i njërit prej të akuzuarve Elenko Milanov dorëzoi propozim procedural në të cilin theksohet se dëshmitë të cilat janë tek prokuroria dhe janë dhënë për zbatim, e kanë të bëjnë me 26 audio incizime të 26 majit të vitit 2017, si dhe sms porosi të 12 majit të vitit 2017, nuk mund të aplikohen.

“Prokuroria nuk ka autorizime për të propozuar kësi lloj dëshmie nga arsyeja se ligji për PSP, i cili është në fuqi nuk ka ekzekutorë të cilët mund të aplikojnë kësi lloj incizime jolegale. Ligji për Prokurorinë Publike i miratuar të dielën do të hyjë në fuqi dhe do të zbatohet pas 30 qershorit të vitit 2020. Fakti që ligji mund të lejojë përdorimin e provave të tilla në të ardhmen, është e ardhme që është joaktive dhe e pazbatueshme. Prandaj, këto dëshmi në këtë pikë duhet të lihet mënjanë për mungesë të mundësisë ligjore për të mbijetuar. Nëse këto dispozita ligjore vazhdojnë pas 30 qershorit, nuk ka pengesë për pranimin e tyre”, theksoi Milanov.

Avokati Donço Nakov, ndërkohë, ka kërkuar nga gjykata autorizim të ri për prokurorin Burim Rustemi, i cili, sipas tij, është delegjitimuar me ligjin e PSP-së, sepse, siç sqaroi ai, bëhet fjalë për lëndë që është rikthyer nga fillimi. Nakov tha se provat materiale që sot do të paraqiten janë të pavlefshme sepse nuk dihet se si janë siguruar.

Kryetari i Këshillit Gjyqësor Ognen Stavrev theksoi se Prokurori Rustemi ka autoritetin e duhur dhe se bëhet fjalë për të njëjtën lëndë dhe nuk ka nevojë për një të re. Lidhur me dëshmitë, Stavrev tha se të gjitha dëshmitë materiale pranohen dhe se do të prezantohen.

Ish-kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, i cili ishte i sëmurë në dy seanca të mëparshme dhe u anulonin seancat, tha se ende është i sëmurë, por do të bënte përpjekje për të qëndruar në gjykimin nëse nuk zgjat shumë.

Ish kryeministri Nikolla Gruevski, ish ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski dhe ish kryetari i Komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski janë ndër të akuzuarit për rrënimin e kompleksit “Kosmos”.

Sipas aktakuzës, në vitin 2011 ata kanë kryer vepër penale nga urrejtja politike, duke rrënuar kompleksin “Kosmos” të Fijat Canoski.