Denoncimi në “Fiks Fare”, shkarkohen dy zyrtarët lokale


Vetëm pak minuta pas transmetimit me zë dhe figurë të një tjetër rast mitmarrje, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore shkarkoi nga detyra dy inspektorët e degës lokale në Krujë.

Në njoftimin për shtyp, Drejtoria e Përgjithshme e Sigurimeve Shoqërore me firmën e kreut të institucionit Astrit Hado vendosi shkarkimin e dy zyrtarëve Eduart Zogu dhe Ibrahim Gurra dhe nisjen e procedurave për ndjekjen në rrugë ligjore të dy zyrtarëve.

Hado ka falenderuar median që ka bërë të mundur zbardhjen e rasteve abuzive, duke i hapur rrugën kështu pastrimit të institucionit nga çdo zyrtar që abuzon me detyrën e tij.

Në fiks fare u denoncuar fakti se zyrtarët i morën qytetarit një ryshfet prej 600 mijë lekësh të vjetra. Ndërsa i garantuan se do fitonte në gjykatë dhe vendimin e gjykatës juristët e Drejtorisë Rajonale të Pensioneve në Durrës nuk do ta apelonin. Më vonë i kërkuan edhe 300 mijë lekë të vjetra, këto për të llogaritur maksimumin e pensionit që do të përfitonte në bazë të përllogaritjeve.

Dhe, pasi ia marrin këtë shumë, i thonë se më në fund mund ta gëzojë pensionin e plotë. Po kështu ai do përfitoj sipas tyre edhe diferencën që i është mbajtur që nga momenti i daljes në pension.