Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka organizuar pritje shtetërore për nder të Ditës së Pavarësisë.Aty përveç mysafirëve të tjerë nga kori diplomatikë, deputetë, e kabineti qeveritar, u pa edhe kryeministri Albin Kurti.Në fjalën e tij Thaçi falënderoi të gjitha institucionet për organizimin dinjitoz të aktiviteteve për shënimin e 12-vjetorit të Pavarësisë.
Ai po ashtu përmendi edhe të arriturat e Kosovës, por edhe sfidat me të cilat u ballafaqua më shumë se një dekadë pavarësi, teksa përmendi angazhimin për anëtarësimin e Kosovës në BE, NATO dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, transmeton EkonomiaOnline.
“Po kalojnë 21 vjet qe Kosova e fitoi lirinë dhe 12 vjet të pavarësisë. Liria u ndërtua me mund përpjeke sakrifice. Është meritë e secilit për tërë këto vjet që kontribuuan që të vijmë në këtë ditë të 12 vjetorit. Edhe njëherë kujtojmë heronjtë e Kosovës, dëshmorët veteranët, diasporën dhe çdo qytetarë që dha gjithçka për liri dhe pavarësi”, tha ai.“Sot në 12 vjetorin Kosova është më e konsoliduar edhe në rrafshin ndërkombëtar. Na presin përgjegjësi të jemi më efektiv në punë, në rrafshin politik të vendit. Sot po shënojmë 12 vjet shtet. Kosova është e njohur nga 100 shtete apo më tepër, është e anëtarësuar 200 vende ndërkombëtare. Prandaj para nesh shtrohen obligime të mëdha që Kosovës t’i ndodh liberalizimi i vizave dhe i ka përmbushur të gjitha kriteret për këtë. Objektiv e gjithë neve është të jemi sa më shpejt pjesë e NATO. Tërë ky angazhim do të vazhdohet nga të gjithë dhe një klimë më të mirë pozitë opozitë”, tha ai.
Por, ai shtoi se për t’i arritur këto aspirata skena politike vendëse duhet të bëhet bashkë, pasi që sipas tij vetëm kur janë bashkuar kanë arritur suksese.Presidenti Thaçi në fund falënderoi të gjitha shtetet mike më në krye SHBA-në për ndihmën e dhënë për Kosovën, si para, gjatë dhe pasluftës. “Dëshiroj të falënderoj Shtete e Bashkuara të Amerikës. Do të punojmë ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n. Kosova është shteti më i ri dhe besoj se do ta meritojmë të jemi pjesë e NATO-s. Para nesh shtohet obligim t’i kultivojmë marrëdhëniet me ShBA-në. Jemi popullata më pro amerikane. Urime 12 vjetorin e Pavarësisë”, tha ai.