Një thes akuzash në adresë të qeverisë, të krerëve të Bashkimit Demokratik për integrim dhe të një banke, ka bërë dje Adil Mustafa, mjek dhe biznesmen, për shkak se, sipas tij, kanë bërë që të dështojë projekti i tij për spitalin e parë privat në Reçicë të Tetovës.
Në një konferencë shtypi përballë objektit të destinuar për spital e që ndërkohë ka kaluar në pronësi të një banke, si hipotekë, për mosshlyerje të detyrimeve financiare, Dr. Adil Mustafa ka shprehur gjithë zhgënjimin e tij për dështimin e realizimit të projektit për një spital modern. Objekti që shikoni është i mbyllur që në muajin mars të këtij viti:
“Unë si mjek, afarist dhe investitor që iu përgjigja thirrjes së BDI-së, ‘mërgimtarë investoni në Maqedoni ta ndërtojmë se kjo është edhe e jona’, në 2004 ndërtova spitalin e përgjithshëm “Shëndeti” që kap vlerën e rreth 10 milionë eurove sipas vlerësimeve të bankave që e bëjnë sot. Një viktim e lojërave, mashtrimeve dhe skenareve të një banke- Uni Bank dhe poashtu të skenarit të organizuar nga vetë Qeveria e cila përmes lojërave kreditore të Uni Bankës na dha goditjen fatale. Fillimisht përmes lojërave kreditore të Uni Bankës, ku sipas dyshimeve lidhen me marrëveshjen të cilat nuk i respektoj banka. Më pas qeveria bëri obstruksione përmes Fondit të Shëndetësisë duke na larguar edhe partnerë turq dhe vendor nga spitali ‘Filip i Dytë’” – shprehet Dr. Adil Mustafa.
Ndërkaq, në një reagim me shkrim të Bashkimit Demokratik për integrim, ndaj –sikundër thuhet – akuzave të pabaza të Spitalit privat “Shëndeti” në Tetovë, nënvizohet se kjo parti ka bërë gjithçka që ishte e mundur në kuadër të kompetencave të veta për ta ndihmuar këtë projekt, duke tejkaluar shpeshherë edhe mundësitë:
“Por fatkeqësisht, spitali në fjalë asnjëherë nuk i plotësoi kushtet e nevojshme kadrovike që i kërkon ligji, për të mundësuar shërbime shëndetësore në nivel, dhe pa e vënë në rrezik shëndetin e jetën e qytetarëve. Për më tepër, ne nuk mund të futemi në menaxhimin ditor të bizneseve të z. Adil Mustafa, e as t’ia rrisim besimin dhe simpatinë e qytetarëve (pacientëve) ndaj punës dhe shërbimeve të tij.Ne kemi qenë dhe mbetemi në shërbim të çdo investitori të jashtëm dhe të brendshëm, dhe këtë gjë e kemi dëshmuar shumë herë, por nuk mund të lejojmë që mossukseset të cilat vijnë si rezultat i keqmenaxhimit të dikujt, të arsyetohen me akuza politike” – thuhet në reagimin me shkrim të BDI-së.
Pavarësisht të gjitha pretendimeve, me rastin është duke u marrë drejtësia dhe është për t’u pritur që e vërteta të dalë sheshit.
Arrestohet në Qafë Thanë dr. Adil Mustafa, pronari i spitalit “Shëndeti” në Tetovë
Mbrëmë në pikën kufitare të Qafë Thanës është arrestuar dr. Adil Mustafa, drejtues i spitalit “Shëndeti” në Tetovë. Lajmi i bë i ditur për INA nga Idriz Sinani nga Forumi për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut IGFM në Maqedoni.
Sipas IGFM, Mustafa pritet të dërgohet në Tetovë, ku do të merret në pyetje, por nuk ka hollësi të tjera.
Ai u arrestua disa orë pasi që mbajti konferencën me gazetarët, ku denoncoi një bankë në Shkup dhe zyrtarë të lartë të Qeverisë, duke përmendur drejtpërdrejt zëvendëskryeministrin Musa Xhaferri, për obstruksione dhe dëme me skenare për dështimin e këtij projekti, që siç u tha do të ishte konkurrentë për disa spitale tjera