Boki 13 deklaroi se është sulmuar në burg nga policia, por ja çfarë thonë nga policia


Seanca për rastin „Reket“ sot ka qenë e mbyllur për publikun, por para se të lirohet salla, Boki 13 deklaroi se sot është sulmuar nga policia e burgut.

Vonesën prej gjysmë ore, Boki 13 e arsyetoi në këtë mënyrë, duke dëshmuar se është sulmuar fizikisht nga nëpunësit e burgut. Diçka e tillë është mohuar nga udhëheqësit e burgut të Shutkës.

“Ai ka rezistuar gjatë vënies së prangave. Këto janë informatat e para, se çfarë ka ndodhur më saktë, do e konfirmojmë. Nuk besoj se dikush e ka sulmuar”, deklarojnë autoritete policore.

Seanca e sotme ishte e mbyllur për publikun, pasi u dëgjuan materiale ku kishte edhe pjesë nga jeta private e të akuzuarve.

Ndryshe, në rastin “Reket”, përpos të dënuarit me tre vite burg, biznesmenit Zoran Milevski Kiçeec, të akuzuar janë edhe Bojan Jovanovski i njohur me nofkën Boki 13 dhe ish shefja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva.

Boki 13 akuzohet se, ka kryer veprën penale “larje parash”, Janeva për “marrje e shpërblimit të jashtëligjshëm” dhe “shpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar”, ndërkaq Kiçeeci për veprën “marrje e shpërblimit të jashtëligjshëm”.

Boki13 akuzohet se, ndikoi te Janeva për lëndën që e udhëhiqte PSP-ja, “Perandoria”, për t’ia lehtësuar pozicionin e të dyshuarit Orçe Kamçevit. Si shpërblim, Janeva ka marrë mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarë dhe para në vlerë prej 50,000 euro, ndërkaq Boki 13 dhe Zoki Kiçeec shpërblim prej 1.500,000 euro.

Rasti “Reket” është zgjeruar në “Reket 2”, ku të përfshirë janë edhe organizata “Lidhja Ndërkombëtare” Boki 13, Frosina Remenski, Mile Jovanovski, Jasna Mandiq, Kristina Karavijanova dhe Bojan Novakovski./Portalb