Ngjashëm si me alkoolin, por ndryshe nga shumë substanca që ndikojnë psiko-aktivisht, interneti gjendet shumë lehtë dhe në të shumtën e rasteve është jo i shtrenjtë.
Për dallim prej drogave ilegale, në shoqërinë tonë ky mjet pasioni, pra kompjuteri, vlerësohet si shumë pozitiv; njohuria rreth potencialit dëmtues të tij nuk theksohet gjithaq.
Rreziqet prej helmueshmërisë ose ndonjë vartësie trupore siç janë ato nga alkooli ose drogat e tjera, natyrisht se nuk ekzistojnë te përdorimi problematik i internetit. Mirëpo, përkundër kësaj, mund të shfaqen çrregullime në sjellje ose probleme të syve nga përdorimi i tepruar i tij.
Sa u takon simptomave, kritereve diagnostike dhe lëngimeve përcjellëse pasioni online dhe vartësia nga substancat janë të krahasueshme. Te të dyja rastet, nga përdorimi i tepruar i tyre shkaktohen ndryshime në qendrën shpërblyese të trurit, që shpie deri te ajo që të mos jenë të mjaftueshme situatat e përditshme të shpërblimit.
Po edhe reaksionet tipike të të prekurve ndaj situatës së tyre janë analoge: Shpeshherë problemi ndrydhet dhe nënvlerësohet. Shpesh shfaqet një ndryshim kur personat nga mjedisi bëjnë shtypje apo shtrëngim mbi këtë.
Si mund të njihet përdorimi i dëmshëm i internetit?
Simptomat e një përdorimi problematik të internetit janë:
- Ngushtimi i hapësirës së sjelljeve: Sjellja dhe mendimi përqendrohen te përdorimi i internetit, ndërkohë që interesimi për angazhimet tjera të kohës së lirë pakësohet.
- Zmbrapsja sociale, shpërfillja e marrëdhënieve sociale jashtë internetit.
- Dëshira më intensive, thuajse e pakontrolluar, për ta përdorur internetin (humbja e kontrollit), shkalla e përdorimit nënvleftësohet.
- Zhvillimi i tolerancës: shtimi i kohës së qëndrimit online (më shpesh dhe më gjatë).
- Nervoza dhe agresiviteti me rastin e largimit nga përdorimi i internetit.
- Shmangie e bisedave rreth formës së përdorimit të internetit.
- Ndrydhje e ndjenjave negative: Përdorimi i internetit shihet si një përpjekje për rregullimin e ndjenjave negative, në kuptim të një strategjie shmangëse për kapërcimin e stresit. Një përdorim kompensues i ofertave të internetit (zëvendësim për jetën reale, shpesh me synim për rregullimin e ndjenjave) është problematik, përkundër një përdorimi komplementar (plotësim i përvojave reale të jetës).
- Rënie e suksesit/probleme në shkollë dhe/ose në punë.
- Ndryshim i ritmit ditë-natë, ndryshim i mënyrës së ushqimit, ndryshime peshe, probleme në sjellje, ngarkim i syve, stërlodhje etj.