Zeka për Ratkocerin: Biznesmen i pushtetit që nuk ka guxim për debat publik


Pas polemikave të shumta që u ngritën kohëve të fundit mes gazetarit Arben Ratkoceri dhe eksponentit të Alternativës Zekirija Ibrahimi, ky i fundit edhe njëherë e akuzon Ratkocerin se është biznesmen i pushtetit që nuk ka guxim për debat publik.

Këtë koment, Ibrahimi e bëri duke u përgjigjur në pyetjen e Gazetës Express se “A mendoni se i bën mirë kjo revoltë partisë dhe koalicionit tuaj në këtë kohë parafushate?”

Zekirija Ibrahimi tha se ai vetëm po i shpreh bindjet e tija personale, dhe se devijimet e teksteve që i shkruan i bëjnë biznesmen të pushtetit, që nuk kanë guxim për debat publik, duke iu referuar pronarit të gazetës Koha, Arben Ratkocerit.

“Nëse e keni fjalën për postimet e mia në FB, duhet të them se ato nuk janë në funksion të asnjë fushate, por thjesht janë bindje të mia personale si shtytje intelektuale. Unë nuk jam kundër askujt dhe nuk kam arsye të jem kundër dikujt. Thjesht, shpreh opinionim tim për fenomenet shoqërore. E devijimet që u bëhen qëndrimeve të mia nga biznesmenë të pushtetit, që nuk kanë guxim as për debat publik intelektual, ato janë përtej fuqisë sime. Fundja secili e bën detyrën e vet” tha Zekirija Ibrahimi.

Këto polemika mes eksponentëve të Alternativës dhe një grupi njerzish që mendojnë ndryshe nga ta, po bëhen në kohën kur kreu i Alternativës Afrim Gashi u bëri thirrje të gjithë aktivistëve që të mos bien pre e provokimeve dhe që të ua kthejnë me të mirë të gjithëve atyre që i sulmojnë me çfarë do mënyre.