Sot dhe nesër raund i ri i bisedimeve për emrin në New York


Ministri i punëve të jashtme Nikolla Dimitrov sot dhe nesër do të takohet me homologun e tij grek Nikos Kozias dhe me ndërmjetësuesin Metju Nimic në New York, njoftojnë nga MPJ.

Takimi ka një rëndësi të madhe, të cilën shumica e cilësojnë si kyçe, duke pasur parasysh që pas bisedimeve për çështjen e emrit, problem ky 25 vjeçar, kryeministrat e dy vendeve në takimin e dytë tet a tet për herë të parë erdhën në njëfarë zgjidhje e cila do të ishte e pranueshme për dy palët..

Por megjithatë, pasi që Zaev tregoi propozimin, kabineti i Cipras doli me qëndrim se pala greke kërkon përcaktues kohor apo gjeografik.

Qeveria e Maqedonisë mbrëmë doli me qëndrim se emri Republika Ilinditase e Maqedonisë plotëson kushtet e përcaktimit kohor, edhe pse shumica thonë se “Ilinditase” është përcaktim historik, për të cilin një pjesë e partive opozitare greke gjetën irredentizëm.

“Republika Ilinditase e Maqedonisë është emër me përcaktim kohor i cili thirret në data konkrete të kaluarës dhe është mundësi reale për kompromis të mundshëm që pajtohen dy palët. Presim që propozimi të jetë i kuptueshëm dhe të ketë përkrahje më të gjerë në Athinë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

“Me këtë emër, bëjmë dallimin e komplet rajonit të Maqedonisë në Greqi. Dallim në cilin do aspekt. Kryengritja e Ilindenit është lufta e popullit tonë multietnik për të drejta sociale dhe liri. Dhe nuk ka aspirata territoriale kundrejt asnjë vendi fqinj, përfshi edhe Greqinë. Kjo është e njëjta luftë edhe në vitin 1903 edhe në 1944”, thuhet më tej në kumtesën e Qeverisë.

Për emrin, mbrëmë foli edhe zëvendës kryeministrja dhe ministrja e mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, e cila tha se qëllimi është që të gjendet një zgjidhje e cila do të jetë pozitive edhe për Maqedoninë edhe për Greqinë, dhe se ky propozim u arrit sipas paketës së propozimeve.

Ajo shtoi se Republika Ilinditase e Maqedonisë paraqet një zgjidhje të shkëlqyeshme bazë, për shkak se ajo nënkupton përcaktim kohor, e cila ka data të rëndësishme historike dhe tregon se Republika e Maqedonisë nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk do të ketë pretendime territoriale.

Sipas mediave greke ky takim i Dimitrov dhe Kozias me Nimic është me rëndësi të madhe dhe kyç për zhvillimin e mëtutjeshëm të bisedimeve.

“Nova Makedonija” dhe “Gorna Makedonija” janë variante të mundshme për zgjidhje, të cilat sërish kthehen në tavolinë, sipas njoftimit të mediave greke, pasi që Athina mbrëmë në mënyrë indirekte refuzoi propozimin për emrin “Republika Ilinditase e Maqedonisë”, ku u tha se duhet të gjendet një zgjidhje e pranueshme me përcaktim gjeografik dhe kohor, siç është në paketën e propozimeve të Nimic.

“Sipas informacioneve, Greqia kërkon opsione tjera dhe ‘Jo’ e fuqishme është ajo që shtyn drejt propozimeve të para që u bënë, sidomos për “Nova Makedonija” edhe për “Gorna Makedonija”, pa përkthim dhe të pandarë. Gjithsesi disa potencojnë se ka përcaktim kohor (e Re), propozim ky që ka më shumë gjasa të pranohet”, shkruan “Ta Nea” e Greqisë, dhe komenton se të dy emrat e lartpërmendur kanë po ashtu diçka negative në to, por në krahasim me ‘Ilindita”, më lehtë do të gjendej gjuha e përbashkët me partitë opozitare.