Ziadin Sela: Qeveria jo duarkryq për kërkesat e të burgosurve në burgun e Kumanovës


Kryetari i Aleancës për Shqiptarët nëpëmjet një kumtese ka reaguar ndaj Qeverisë, pas bojkotit të sotëm që bëjnë të burgosërit në burgun e Kumanovës për shkak të mungesës së kushteve:

“Neglizhenca ndaj kushteve jo njerëzore në burgjet e Maqedonisë së Veriut po kushton me jetë njerëzish. Jetë këto që ndodhen në këto institucione risocializuese për t’u riedukuar dhe për rezultat të mos përsërisin gabimet e njëjta. Çdo i burgosur gëzon të drejta që i garantojnë jetën, dhe sipas të gjitha konventave për të drejtat e njeriu dënimi duhet të jetë human dhe rehabilitues, duke mos anashkaluar asnjëherë qëllimin e tij social. Qëllim ky që po zhduket në sistemin penal të Maqedonisë së Veriut duke u shndërruar në qëllim të vetëm hakmarrjen ndaj kryerësit të veprës penale. Dhe, fatkeqësisht po bëhemi dëshmitar të të burgosurve të cilët trajtohen si çdo gjë tjetër vetëm jo si njerëz! E kemi ende të freskët rastin me vdekjen e të riut nga Kumanova, pikërisht në burgun e Kumanovës, për të cilin askush nuk mori përgjegjësi. Dhe është po kjo papërgjegjësi që po vazhdon të rrezikojë edhe jetë tjera.”, theksoi Sela.

Sipas tij, Realiteti bëhet edhe më i hidhur në momentin që të gjithë e dimë së në burgjet e Maqedonisë së Veriut ndodhen edhe shumë persona të burgosur për raste të montuara politikisht! Sistemi jonë i drejtësisë është në fund të pusit, dhe për këtë gjendje dikush patjetër se duhet të përgjigjet. “Qeveria nuk guxon të rrijë duarkryq ndaj kërkesave të të burgosurve, të cilët pa asnjë rrugëdalje tjetër të drejtën e tyre shpresojnë ta realizojnë nëpërmjet grevës me uri. Është sjellje çnjerëzore e qeverisë të rrijë për vete e ngopur, e të mos bëjë asgjë për ata që dergjen burgjeve të etur e të uritur. Autoritetet shtetërore ndajnë para nga buxheti i shtetit për të siguruar dhe garantuar jetën e të dënuarve dhe nisur nga ky fakt asgjë dhe askush nuk mund t’i kursejë nga përgjegjësia!”, nënvizon kreu i ASH-së.