Forcat siriane vrasin pesë ushtarë turq në Idlib

Ministria e Mbrojtjes në Turqi njoftoi se forcat qeveritare siriane e kanë sulmuar një pikë ushtarake turke në provincën e Idlib-it, duke i lënë të vrarë pesë ushtarë turq.

Zyrtarët i thanë agjencisë “Reuters” se forcat turke ishin duke u kundërpërgjigjur ndaj sulmeve në Taftanaz, ku Turqia së voni dërgoi përforcime për shkak të përparimit që e shënuan forcat qeveritare siriane kundër rebelëve.

Në anën tjetër, dhjetëra civilë raportohet të jenë vrarë në veriperëndim të Sirisë pas një nate me shumë bombardime të forcave ruse dhe siriane.

Gjashtë fëmijë ishin në mesin e nëntë civilëve të vrarë në orët e hershme të mëngjesit të së hënës në fshatin Abin Semaan të provincës së Aleppo-s. Atje, forcat e regjimit sirian, të përkrahura nga Rusia, po e zhvillojnë një ofensivë të ashpër për ta rimarrë nën kontroll një autostradë të rëndësishme.

Që nga dhjetori i vitit të kaluar, forcat qeveritare siriane dhe ushtria ruse e kanë nisur një sulm të gjerë kundër rebelëve në pjesën veriperëndimore të Sirisë.

Më shumë se 350 civilë janë vrarë dhe rreth 586 mijë të tjerë janë detyruar të shpërngulen afër kufirit me Turqinë për shkak të kësaj dhune, shkruan “France24”.

Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare kanë bërë thirrje për ndërprerje të luftimeve, duke paralajmëruar se bombardimet mund të shkaktojnë krizë të rëndë humanitare.