Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Syrja Rushiti, në një konferencë për shtyp në Kuvend tha se propozim-ligji për Prokurorinë Publike ka pësuar modifikime nga versioni i parë që është propozuar. Ai tha se modifikimet janë sjellë në nenin 110, ku me këtë nen synohet amnistia e përgjithshme për të gjitha ata që janë përfshirë në krim dhe korrupsion.
“Rreth ligjit të Prokurorisë Publike kemi pasur vërejtjet tona dhe propozimet tona. Një pjesë e propozimeve tona janë marrë edhe parasysh. Por për fat të keq nga ajo që po shohim versioni i fundit që po del në dritë ka një ndryshim drastik në nenin 110. Në këtë nen sugjerohet amnisti e përgjithshme për të gjitha ata që janë përfshirë në krim dhe korrupsion. Qëndrimet e Aleancës për Shqiptarët lidhur me këtë çështje kanë qenë parimore dhe ne nuk do të mbështesim asnjë ligj që ka për qëllim amnistinë e kriminelëve dhe të korruptuarave. Ky nen nuk ka qenë kështu kur e kemi diskutuar me Ministren e Drejtësisë” – tha Rushiti.