FOTO+18/ Shqiptari vdes në burg të Francës, autoritetet: U vetëvar. Familjarët: Kemi fakte, e kanë masakruar


Një shqiptar i arrestuar në Francë, ku ishte në procedura për të marrë azil, është gjetur i pajetë në dhomën e qelisë. Të afërmit e Mentor Rexhës, motra e tij, Suela Rexha e kontaktuar nga gazetari i Top Channel, Ariglon Pali, thonë se nuk janë lajmëruar në rrugë zyrtare për vdekjen e 36 vjeçarit, por nga persona të tjerë.

Njoftimi është bërë me një javë vonesë. Autoritetet franceze thonë se Rexha është vetëvrarë në 31 janar, por familjarët kanë dyshime të forta që është dhunuar nga gardianët e burgut.

Fotot tregojnë hematoma në trup dhe plagë në kokë. E motra e të riut thotë se vetëm tani vonë janë lejuar që ta shohin në morg. “ Fillimisht më kërkuan që të firmos një shkresë pa parë trupin, por unë nuk pranova”, thotë ajo. Vetëm pasi ka shkuar vetë në morg, ka arritur të konstatojë shenjat e dhunës.

Trupi nuk është kthyer ende në Shqipëri, ndërsa të afërmit bëjnë apel për ndihmë, sepse ambasada shqiptare në Francë është shprehur se nuk ka fonde për t`i asistuar.

Mentor Rexha, lindur në Lezhë dhe me banim në Shkodër, përpara një viti kishte udhëtuar drejt Francës si emigrant dhe kishte aplikuar për procedurat e marrjes së statusit të azilantit.

Por ndërkohë, ai ka përfunduar në burg bashkë me dy shqiptarë të tjerë për djegien e disa automjeteve, ndërsa e motra thotë se në komunikimet që kanë pasur, Rexha gjithmonë ka pretenduar pafajësinë.

Duke mos besuar variantin e autoriteteve franceze, të afërmit i kanë bërë dhe foto trupit që tregojnë një shenjë litari në fyt, por edhe të çarë në kokë si dhe shenja të tjetra në trup, që i bën ata të dyshojnë se e vërteta nuk është aspak siç po u paraqitet.

Ngjarja risjell në kujtesë episodin e trishtuar të përpara dy viteve, kur Florenc Beqiraj vdiq në një burg të Francës, teksa ishte dhe ai në pritje të azilit.