Qëllohet për vdekje ushtari tajlandez që i vrau 26 persona

Policia tajlandeze njoftoi se forcat e sigurisë e kanë vrarë ushtarin që i qëlloi për vdekje 26 persona gjatë një sulmi masiv.

Ushtari i quajtur Jakraphanth Thomma të shtunën e vrau komandantin e tij para se t’i vidhte disa armë nga një kamp ushtarak.

Sulmuesi i dyshuar e vazhdoi sulmin rrugëve dhe në një qendër tregtare në qytetin Nakhon Ratchasima, i njohur edhe si Korat.

Ky ushtar, i cili postonte fotografi në rrjetet sociale gjatë sulmit, më në fund u vra nga forcat e sigurisë pasi u rrethua brenda një ndërtese, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri i Tajlandës, Prayuth Chan-ocha, e bëri të ditur numrin e saktë të viktimave pasi fillimisht ishte raportuar për 12 persona të vrarë. Përpos të vrarëve, në këtë sulm u plagosën 57 persona.

“Ky është një rast i pashembullt në Tajlandë dhe dua që kjo të jetë hera e fundit që ndodh një krizë e tillë”, tha kryeministri pasi i vizitoi të plagosurit në një spital.

Ai tha se motivi i sulmuesit duket se ishte zemërimi pas një konflikti, ku ai besonte se është mashtruar në një marrëveshje pronësie.