Ushtari afgan vret dy trupa amerikane


Dy ushtarë amerikanë janë vrarë dhe gjashtë të tjerë janë plagosur në të ashtuquajturin sulm i brendshëm në provincën lindore të Afganistanit, Nangarhar, kur një ushtar afgan qëlloi me armë zjarri në orët e vona të së shtunës.

Ajmal Omer, anëtar i Këshillit Provincial të këtij rajoni, tha se sulmuesi është vrarë, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Në Afganistan janë shënuar shumë raste të sulmeve nga ushtarët afganë ndaj aleatëve amerikanë gjatë 18 vjetëve të luftës.

Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimitetit për shkak se nuk kishte leje të jepte deklarata për medie, tha se sulmuesi ishte një ushtar afgan, i cili ishte grindur me forcat amerikane para se ta niste sulmin.

Në deklaratën e ushtrisë amerikane thuhet: “Një individ në uniformë afgane i ka sulmuar forcat e kombinuara amerikane dhe afgane me një mitraloz. Ende jemi duke mbledhur informacione dhe motivi i sulmit deri më tash është i panjohur.”

Në korrik të vitit të kaluar, dy ushtarë amerikanë u vranë nga një koleg afgan në provincën Kandahar. Sulmuesi ishte plagosur dhe më vonë ishte arrestuar.