Përfaqësuesi Special Presidencial i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Richard Grenell, ka reaguar sot pas qëndrimit të djeshëm të kreut të opozitës, Kadri Veseli, pasi ky i fundit ka thënë se Albin Kurti nuk duhet të ngutet për ta hequr taksën ndaj Serbisë.
Grenell në një reagim në llogarinë e tij zyrtare në tëitter i është drejtuar Kadri Veselit duke i thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë duke kërkuar heqjen e taksës dhe se Albin Kurti ka të drejtë kur thotë se do ta heqë atë.
“Kadri, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i kërkojnë Kosovës që ta heqin taksën 100 %. Po e dëmton Kosovën dhe po pengon bizneset të krijojnë vende të reja të punës. Albini ka të drejtë këtu”, ka shkruar Grenell.
E një ‘goditje’ e tillë e Grenellit për Veselin i ka rikthyer në mendje deklaratat gjatë kohës së bashkëqeverisjes ndërmjet PDK-së e AAK-së, ku ish kryeministri Ramush Haradinaj akuzohej nga Veseli për prishje të raporteve me SHBA-të pikërisht për shkak të taksës, shkruan Ballkani.info.
Veseli në një intervistë për “Zërin e Amerikës” e kishte cilësuar qëndrimin e Haradinajt me atë të Serbisë në raport me SHBA-të.
“Pozicioni im është shumë i qartë që nga fillimi, është transparent: Kosova ka të drejtën legjitime të marrë vendimet të cilat janë qoftë tarifa, qoftë mbrojtja e sovranitetit dhe integritetit territorial e institucional. Por duhet ta dimë, i gjithë populli ynë e di: populizmi është një opium që krijon një favor në një moment të caktuar për politikanë të caktuar. Për periudhën afatgjatë ne duhet të jemi të mençur dhe nuk kemi rrugëtim tjetër pa SHBA dhe Bashkimin Evropian, nuk mund të jemi të suksesshëm në qëllimin që kemi. Në qoftë se i vëmë bashkë: SHBA, Bashkimin Evropian, si dhe çështjen tarifën edhe Serbinë është gabim. Ne duhet të gjejmë momentumin dhe rrugën e cila e dallon Serbinë nga gjuha e cila përdoret ndaj nesh nga Bashkimi Evropian dhe SHBA”, pati thënë Veseli.
Haradinaj më pas kishte reaguar ndaj kësaj deklarate të Veseli.
Haradinaj ka theksuar se nuk flet me një gjuhë me Serbinë dhe SHBA-të.
“E pash intervistën, është kualifikim i paqëndrueshëm nuk kam qasje apo komunikim me Amerikën si me Serbinë. Me Serbinë jam ndarë njëherë me luftë e jam kon krah për krahë me Amerikën. Kemi dallime në tema të shumta me Serbinë, më pak me Amerikën, kemi dallim në një temë siç e dini që është suspendimi i taksës. Sikur të kishim qenë të gjithë unik, përfshirë edhe kryetarin Veseli, Amerika ndoshta na kish përkrahë më shumë. Kjo dëshirë me fol ndryshe po na bënë dëm si Kosovë dhe na ka lënë këtu ku jemi sot”, pati deklaruar Haradinaj.