Gjendja e tensionuar në ishullin e Lesvos ka vazhduar për të dytën ditë rrjesht, një ditë pas përleshjeve të ashpra të emigrantëve me forcat policore ku janë përdorur edhe bombat me gaz lotsjellës.
Duke hedhur parullat si “Liri-Liri “, “Popull i Lesvos na falni” dhe “Moria është një ferr” rreth 300 emigrantë janë mbledhur përsëri mesditen e së martës para bashkisë, të rrethuar nga forca të shumta policore, të cilat më pas i kanë detyruar të largohen drejt kampit të Morias.
Megjithëse në fillim emigrantët, shumica e tyre nga Afganistani, mbanin në dorë lule, përsëri është krijuar tension dhe konfrontim me forcat policore me pasojë edhe plagosjen e disa personave.
Në një tubim tjetër në të njëjtën orë, banorë të Lesvos kanë hyrë në ndërtesën e bashkisë për të protestuar për gjendjen e vështirë që po kalon ishulli, e cila krahasohet me një bombë gati për të shpërthyer. Në protestën e tyre të rradhës, ata kanë kërkuar nga qeveria që emigrantët të largohen urgjentisht në kampet e Greqisë kontinentale.
Guvernatori i ishujve veriorë të Egjeut i ka kërkuar qeverisë të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme në tre ishujt më të mëdhenj të kësaj zonë, Lesvos, Hios dhe Samos, pasi numri i emigrantëve që mbahen tashmë atje, ka shkuar në mbi 40000 persona.
Vëtëm në të ashtuquajturin “ferrin e Europës”, kampin e Morias , më i madhi në kontinent, mbahen 20000 emigrantë në kushte çnjerëzore, kur kapaciteti i tij është për vetëm 3000 vetë.
Ne një konferencë shtypi, zëdhënësi i qeverisë ka deklaruar se qeveria do të fillojë së shpejti ndërtimin e kampeve të mbyllura , riatdhesimin e emigrantëve ekonomike dhe një kontroll të rreptë të OJQ që menaxhojnë ndihmat për ta.