Autoritetet italiane në Brindisi kanë sekuestruar një mjet lundrues të ngarkuar me 334 kg drogë, ndërsa në pranga është vënë një shtetas shqiptar, ende i paidentifikuar.
Operacioni është zhvilluar në brigjet e Brindizit, ku autoritetet e njësisë detare vendosën të ndalojnë mjetin lundrues.
Mediat italiane raportojnë se lloji i mjetit lundrues si dhe deklaratat e paqarta të kontrabandistit shqiptar kanë bërë që të zhvillojnë inspektime më të hollësishme.
Pas kontrollit në bordin e vakrës u gjetën 186 pako të mbështjella me peshë totale 310 kg marijuanë dhe 24 kg hashash. Nëse lënda narkotike do të hidhej në treg do të kapte një vlerë prej 4 milionë euro.
Varka 5 metër e gjatë dhe me një motor të fuqishëm që përdorej për trafik droge u konfiskua, ndërsa në pranga u vu kontrabandisti me kombësi shqiptare.