“Përdorini duart për të mbledhur mbeturinat, jo për të bërë shqiponjën”


Dorjan Bulku është turisti më besnik i trojeve shqiptare. Nuk është i huaj, është shqiptar. Do fort Skënderbeun e Nënë Terezën, por mbi të gjitha do Shqipërinë…Shqipërinë që Zoti i dha gjithçka të bukur… veç shqiptarëve.

Dori, siç e thërrasin miqtë është çdo fundjavë në kërkim të mrekullive që fsheh vendi ynë pas zhurmave akustike e politike.

Ai është jo vetëm një promovues i mirë i turizmit vendas, duke organizuar udhëtime të shpeshta mes miqve, por edhe duke kritikuar vazhdimisht një nga plagët më të mëdha të turizmit shqiptar: ndotjen.

Në shume male tonat nuk arrin energjia elektrike apo rruga automobilistike, ama mbeturinat mbërrijnë bashkë me njeriun dhe mbijetojnë për vite me radhë.