Katica Janeva shumë afër shkarkimit


Këshilli i Prokurorëve Publikë njëzëri vendosi se janë plotësuar kushtet për fillimin e procedurës për shkarkimin e prokurores speciale publike Katica Janeva, e cila është në paraburgim si e dyshuar për rastin “Reket”. Këshilli do të përgatisë raport që do të dorëzohet deri tek Kuvendi i cili më tutje duhet ta vazhdojë procedurën për shkarkimin e Janevës.

“Këshilli, pasi të gjithë anëtarët dhanë analiza për situatën për shkrimet për kr*imin e organizuar i cili ka të bëjë me veprimin e prokurores Janeva në lëndën ‘Perandoria’ të PSP, njëzëri vendosi se janë plotësuar kushtet që të fillojë procedura për shkarkimin e prokurores speciale publike Katica Janeva. Që të bëhet një gjë e tillë, Këshilli duhet të përgatisë raport me gjendjen e konfirmuar faktike dhe ta dorëzojë deri tek Kuvendi”, deklaroi dje pas seancës kryetari i Këshillit të PP-së, Kole Shterjev. Shtoi se në pajtim me kompetencat e tija, Kuvendi edhe më tej do ta vazhdojë procedurën.

Shterjev tha se pasi janë të limituar për të nxjerrë të dhëna, emra, mbiemra, Raporti do të përmbajë përmbledhje e cila, siç tha, do t’i pasqyrojë një pjesë të deklaratave të cilat sipas tyre janë të rëndësishme që Kuvendi të ketë para vetes fakte të konfirmuara, që të mund më tej të vendos dhe të propozojë deri tek Këshilli shkarkimin e Janevës. “Do të thotë se do të përmbajë të dhëna të mjaftueshme, të cilat ligji i kërkon që të mund të veprojë Kuvendi”, ka thënë Shterjev. Shtoi se punohet në faza, Këshilli tani e fillon procedurën, Kuvendi duhet të shkojë me propozim deri tek Kuvendi, ku më pas vjen procedura për shkarkim.

Kryetari i Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve Ilija Dimovski dje deklaroi se në Kuvend ende nuk ka arritur raporti i Këshillit të prokurorëve publikë, njofton Koha.mk.

Gjatë ditës së djeshme Dimovski ka filluar konsultime me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi dhe me një pjesë të koordinuesve të grupeve të deputetëve. Procedura, siç tha, është e ndërlikuar, është e nevojshme të sigurohet harmonizim nga partitë politike, Komisioni ta sjell konkludimin, praktikisht Komisioni duhet të propozojë shkarkimin e prokurores speciale publike dhe më pas të caktohet seancë e Kuvendit për shkarkimin e Janevës nga funksioni i prokurorit speciale publik.

Në ndërkohë në Kuvend vijon procedura për Propozim ligjin për prokurorinë publike me të cilin duhet të zgjidhet statusi i PSP-së.

Komisioni parlamentar për çështje evropiane ka miratuar dhjetë nga 51 amendamentet e propozuara të ligjit. VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila është kundër ligjit të propozuar gjithsej ka propozuar 14 amendamente të ligjit për prokurori, nga të cilat dje janë miratuar 4.

Komisioni për çështje evropiane do të vazhdojë ,me debat për amendamentet, i cili mund të zgjasë dy ditë pune. Kuvendi të martën vendosi që Propozim ligji për prokurori publike të sillet me procedurë të shkurtuar. Ministrja e Drejtësisë ka paralajmëruar se nëse nuk sigurohet dy të tretat e shumicës, atëherë në opsion janë zgjidhje tjera, ndërsa një prej tyre janë ndryshimet në Ligjin për Këshillin e prokurorëve publik e cila sillet me 61 vota.

Me propozim-ligjin për PP-në parashikohet që Prokuroria Publike për ndjekjen e veprave penale që lidhen dhe që rezultojnë nga përmbajtja e ndjekja e paautorizuar e komunikimeve, gjegjësisht PSP-ja dhe Prokuroria Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të bashkohen në një Prokurori Publike, që do ta mbajë emrin Prokurori Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë.

Kompetencat e PSP-së dhe të Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të kalojnë në Prokurorinë Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë, e cila do të vazhdojë të drejtojë procedurat e filluara në fazën në të cilën janë ndërmarrë. Më tutje, sipas tekstit të propozuar të ligjit, prokurori aktual publik i Prokurorisë Publike për krim të organizuar dhe korrupsion Vilma Ruskoska është propozuar që të vazhdojë të ushtrojë funksionin e saj si prokurore publike e Prokurorisë Publike për krimit të organizuar dhe korrupsionit të lartë deri në përfundim të mandatit të saj, për të cilin është zgjedhur.