Vajza e vogël 2 vjeçare Angela e cila ishte dërguar me urgjencë me aeroplan për kurim në Turqi ka ndërruar jetë.
Edhe pas gjitha përpjekjeve nga ekipet mjekësore në Maqedoninë e Veriut si dhe në Turqi, ajo nuk ka mundur t’i mbijetojë sëmundjes së rrallë që ka vuajtur.
Angela në Turqi ka pasur aparat për frymëmarje dhe i është pastruar gjaku, por nuk ka mundur të operohet për shkak të përkeqësimit të gjendjes.
Mjekja Aspazija Sofijanova nga Klinika për sëmundje të fëmijëve e cila kishte inicuar procedurën për dërgimin e vajzës së vogël në Turqi ka deklaruar se nga ana e tyre është bërë gjithçka për të shpëtuar Angelën.
“Nga ana jonë dhe nga Klinika Universitare për sëmundje të fëmijëve, departamenti i Hematologjisë janë bërë gjitha përpjekjet e mundshme për të tejkaluar sëmundjen. Posaçërisht dua të theksoj Departamendin për kujdes intensiv e cila ka organizuar transportin për në Turqi. Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi për sigurim shëndetësor na dolën në ndihmë menjëherë, por ndonjëherë sëmundjet si në rastin në fjalë për fat të keq kanë një përfundim të dhimbshëm. Angela nuk ka mundur të ballafaqohet me sëmundjen edhe pse ishte e vendosur në aparatura më moderne.”, theksoi mes tjerash mjekja Sofijanova.