Veliaj për mandatin e dytë: Do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri


Pas betimit si kryetar i Bashkisë së Tiranës edhe për një mandate të dytë, Erion Veliaj shprehu angazhimin se nuk do t’i zhgënjejë qytetarët dhe se do të punojë për vijimin e projekteve transformuese për qytetin. Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Veliaj u betua se do të bëjë më të mirën për Tiranën e shekullit të ri.

“Ju premtoj që nuk do t’ju zhgënjej dhe që do të vendos të gjithë energjinë time edhe të stafit, në përmbushje të çdo premtimi që kemi dhënë bashkë. Siç e tha kryeministri, sot nuk e kemi më luksin të krahasohemi me ata që shkuan, por sot kemi një detyrim të jashtëzakonshëm të krahasohemi me ambicien edhe me ëndrrat tona. Kështu që për ambicien, për ëndrrat dhe për të gjithë përkushtimin tonë, betohem para jush që do të bëj më të mirën për Tiranën e shekullit të ri”, theksoi Veliaj.

Në fjalën e tij, Veliaj renditi disa nga projektet që do të bëjë në këtë mandat të dytë, duke nisur që nga zona e lirë ekonomike që do i japë një impuls të ri ekonomisë tek nisja e punës për Kampusin e Ri Universitar. “Dua që grupi që do të punojë për urbanistikën, menjëherë t’i bashkohet zv/ kryetarit, për të lehtësuar të gjithë procedurat për Kampusin e Ri Universitar.

E përmendi kryeministri, jemi bashkë sërish , për të mbajtur premtimin e kryeministrit me studentët. Kemi rinovuar shumicën e godinave në Qytetin Studenti, na kanë ngelur edhe tre të fundit, megjithatë komisioni I Urbanistikës që do të punojë për gjithë çështjet e Kampusit të Ri Univeristar do të duhet që ta adresojë këtë që një mbledhjen e parë për të ecur përpara”, tha Veliaj.

Teksa theksoi se Tirana është në pesëshen finale për të qenë kryeqyteti evropian i Rinisë në 2022, Veliaj shprehu ambicien për të ndërruar më shumë shkolla, kopshte, çerdhe. “Jam sot shumë krenar që Tiranën e kemi kthyer në një qytet shumë cilësor për fëmijët dhe do të doja që t’i kishim gjithmonë parasysh në të gjithë vendimmarrjet tona. 17 shkollat e reja janë në punë e sipër. Ne kemi ndryshuar ligjet e Urbanistikës, çdo leje tani jo vetëm taksohet më shumë ndërtuesi, por kushtëzohet me marrjen e tokës së pandërtuar në dhuratë, pra në pronësi të Bashkisë, për t’u siguruar që të njëjtën gjë që po bëjmë me shkollat të bëjmë me kopshtet e çerdhet e Tiranës”, tha ai.

Por një nga xhevahirët e Tiranës është Bulevardi I ri ku po projektohet Tirana e 100 viteve të ardhshme. “Nëse në 100 vitet e fundit Tirana është rritur përtej një shtylle kurrizore që quhet bulevardi i vjetër, parashikojmë që në 100 vitet e ardhshme Tirana të rritet tek ai që quhet bulevardi I ri. Kemi vënë pllakën e parë me kryeministrin në fillim të këtij mandati dhe jam i lumtur që më fund e pamë të përfundojë kjo shtyllë e re kurrizore e Tiranës që zgjat dy herë gjatësinë e qytetit dhe të shikojmë se si ajo që quhet zona Fin Tech, të vazhdojë e të zhvillohet në zonën e bulevardit të ri ku besoj të gjithë do jemi krenarë dhe kur t’i lëmë këto poste, për të thënë që nisëm një shekull të ri për Tiranën tone”, deklaroi kryebashkiaku Veliaj i cili nga sot nis mandatin e dytë në krye të Tiranës duke e udhëhequr drejt të katër vjeçari të ri transformues.