FLIJIMI I ÇËSHTJEVE SHQIPTARE
Shkëlzen Halimi
Politika që do të përshkohet me shumë lavde e emocione, do të jetë groteske dhe aspak serioze. Pikërisht kjo politikë groteske do të bëjë që brenda një partie të shpërthejnë edhe të ashtuquajtura nën-politika të nëngrupeve, që secila veç e veç do ta vizatojë rrezen e fushëveprimit që do t’i ngjajë një rrethi hermetik, brenda të cilët do të krijohen mjegulla artificiale, me të cilat do të mbulohen grupet me interesa të përbashkëta, në të cilat grupe kishte individë të maskuar, analfabetë, frikacakë, zuzarë, por që në mënyrë të shkëlqyeshme vepronin nën mburojën e partisë. Fare nuk do të ndjehej mungesa e vizionit, sepse çështjet shqiptare në Maqedoni do të ngelin jashtë binareve dhe mbi to do të fillojë të katandiset imazhi kozmopolit për një bashkëjetesë të përhershme jashtë kornizave të identitetit.
Çështjet shqiptare do të flijoheshin për shkak të paqartësive të konfigurimit të Ballkanit pas shkërmoqjes së Federatës jugosllave. Shqiptarëve iu ishte thënë (kinse edhe nga ndërkombëtarët) që përkohësisht t’i heshtin kërkesat e tyre për të drejtat që u takonin. Pra, shqiptarët nuk duhej të shqetësonin askënd.
Kurse kërkesat e shqiptarëve (në Maqedoni) ishin kërkesa minimale, të papërfillshme për botën demokratike. Ata kërkonin të arsimohen në gjuhën amtare dhe të krijohen kushte që të mos trajtohen si të huaj në truallin e tyre prej shekujsh.
Por, vizioni transcendental që ishte produkt i opiumit të pushtetit, nuk dilte jashtë rrethit hermetik të grupeve me interesa të përbashkëta, kurse palës tjetër në pushtet, asaj maqedonase, ky hermetizëm i konvenonte, sepse mundësia për t’i kontrolluar pjesëtarët e grupeve me interesa të përbashkëta ishte e plotë, por edhe e përdorshme në realizimin e skenarëve ogurzi. Sado që manipuluesi ishte konkret, i dukshëm, kishte emër e mbiemër, megjithatë gjykimi për të ishte i turbullt. Për shumë shqiptarë, të gjendur midis një katrahure të atillë, që ishte një përzierje me gënjeshtra, premtime, dhunë, mizori, dëshpërim, shpëtimi i vetëm do të ishte ikja atje ku nuk do të vendosë libreza e partisë….