Çfarë po fshihet? Maqedonia i vetmi vend në Evropë pa regjistrim të popullsisë

Komisioni kuvendor për çështje evropiane sot duhet të debatojë për Propozim ligjin për regjistrimin e popullatës, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut, në vitin 2020, në lexim të parë.

Siç qëndron në tekstin e propozuar, në pajtim me Ligjin për statistikë shtetërore dhe Propozimin pesëvjeçar për hulumtime statistikore 2018-2022, Enti shtetëror për statistikë në muajin prill të vitit 2020 duhet ta zbatojë Regjistrimin e nëntë të popullatës, banesave dhe amvisërive në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Transparencë në procedurat gjatë zbatimit të Regjistrimit, neutralitet dhe objektivitet në të gjitha fazat e procesit, pavarësi profesionale të organeve kompetente dhe shfrytëzim të bazave shkencore në qasjen metodologjike dhe përgatitjen e rezultateve, si dhe besueshmëri dhe mbrojtje të të dhënave individuale, janë synimet dhe kapitujt e ligjit që propozohet.

Maqedonia e Veriut ka shënuar një rekord të pa parë – ajo është vendi i vetëm në Evropë në të cilin nuk është realizuar regjistrimi i popullsisë për më shumë se një dekadë.

Por sa banorë ka Maqedonia? Askush nuk e dinë e saktë. Sipas një vlerësimi të Entit Shtetëror të Statistika në Maqedonia 2.072.490 banorë, ndërsa dendësia e popullsisë është 80.6 banorë në kilometër katror.