Një kongolez dhe një afgan janë arrestuar në kuadër të operacionit ‘Prodhimi i fundit’ pasi akuzohen se merrnin makina të prodhimit të viteve të fundit në vende të ndryshme të BE-së dhe pasi i fusnin në Shqipëri i shisin.
Operacioni u finalizua nga Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Interpol Tirana. Të arrestuarit janë; M. A. 25 vjeç, lindur në Afganistan dhe L. M. 28 vjeç, lindur në Kongo, të dy banues në Angli.
Nga hetimet ka rezultuar se dy të rinjtë me anë të mashtrimit merrnin me qira makina luksoze prodhim i fundit në kompani të ndryshme në Angli, Belgjikë dhe Gjermani dhe pasi hynin me dokumentacion të rregullt nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit dhe më pas mjetet i shisnin në Shqipëri. Nga hetimet u dokumentuan me prova ligjore dy prej shumë rasteve, konkretisht për një automjet ‘AUDI’ dhe një automjet ‘Benz’ prodhim i 2019-tës. Më datë 18.07.2019 në pikën e Hanit të Hotit afgani ka hyrë dhe trafikuar automjetin tip Audi të marrë në Gjermani, të cilin e ka shitur në Shqipëri.
Po më datë 24.07.2019, janë paraqitur për të hyrë në territorin shqiptar sërish afgani duke drejtuar mjetin tip Mercedez-Benz, vit prodhimi i 2019-tës, i shoqëruar nga kongolezi pasagjer. Makina është bllokuar në cilësinë e provës materiale. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së paligjshme të kryer nga këta dy persona. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorrike” dhe “Mashtrimi”.