Autostrada Shkup-Bllacë – shumë zhurmë e pak punë. Zëvendëskryeministri Bujar Osmani u shfaq sot para mediave, në krah edhe të Drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore Zoran Kitanov, për të shpallur tenderin vetëm për dy kilometrat e parë të kësaj autostrade të premtuar prej shumë kohësh, ndërkohë që i paqartë mbetet edhe fati i 10 kilometrave të tjera. Pa publikuar afat konkret dhe modalitete të sakta për përfundimin e punimeve, madje pa dhënë as koston e parashikuar të këtij projekti në total, Osmani tha gjithsesi se detyra e tij si koordinator ka përfunduar dhe se tani, kohëzgjatja dhe kostoja e projektit do të varet nga procedurat ligjore të tenderimit dhe ndërtimit.
Është jo mirë dhe jo korrekte që të jepni data te punët ndërtimore. Këtë ua them nga eksperienca për shkak se punët e paparashikueshme gjatë ndërtimit të projekteve veçanërisht të tilla sikur që është autostrada Shkup-Bllacë, e cila për shkak të terrenit gjeografik është mega-projekt në aspekt të sfidave me të cilat duhet të ballafaqohemi nuk mund të them konkretisht se kur mund të përfundojë. Nga sot dinamikën e përcaktojnë afatet ligjore, e jo më puna e institucioneve”-tha Bujar Osmani, koordinator për autostradën Shkup-Bllacë.
Tenderimi i pjesshëm i autostradës, sipas Osmanit është bërë që të mos humbet kohë dhe që të mos ketë kthim prapa nga ndërtimi i kësaj autostrade. Edhe pse pyetja për kohëzgjatjen nuk iu drejtua edhe Kitanovit, drejtori i Ndërmarrjes për rrugë shtetërore, për vonesën, preferoi të arsyetohej me testimet për kualitetin e sigurisë së autostradës së re.
Është shumë e rëndësishme që të bëhet projekt i mirë, që të ndërtohet më shpejtë. Aty keni dy tunel, kemi viadukte, me siguri edhe ju do të pajtoheni se mjaftë kemi pësuar në të kaluarën me projekte të shpejta. Duhet të bëhen projekte testues geo-mekanike, statike. Nëse projekti është kualitativ shumë shpejtë do të ndërtohet. Të mos shpejtojmë, të jetë kualitativ dhe mirë për shumë vjet”- pohoi Zoran Kitanov – Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.
Autostrada Shkup-Bllacë është premtuar prej vitesh, edhe pse pjesa e të njëjtës rrugë, nga ana e Kosovës është përuruar prej muajsh tashmë. Ende nuk është e qartë nëse për 10 kilometrat e tjerë do të ketë edhe dhjetëra konferenca promovuese të zyrtarëve, edhe pse që në start, është e qartë se ky projekt është përdorur gjerësisht gjatë fushatave parazgjedhore.