Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së Narine Sahakjan në takimin e sotëm me ministrin e Vetëqeverisjes Lokale Goran Milevski ka informuar për projektet aktuale që implementohen nga ana e UNDP-së në bashkëpunim me Ministrinë.
Nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale bënë të ditur se bëhet fjalë për tri projekte që kanë për qëllim përmirësimin e sistemit të vetëqeverisjes lokale dhe funksionimin e komunave. Theks i veçantë në të gjitha projektet është vënë në planifikimin e zhvillimit gjithëpërfshirës të komunave, me përfshirje të drejtpërdrejtë të qytetarëve si dhe forcimin e kapaciteteve të komunave për punë transparente dhe zhvillim më dinamik dhe të qëndrueshëm, përmes përgatitjes së strategjive zhvillimore lokale dhe realizimin e projekteve zhvillimore.
Ministri Milevski ka shprehur bindje se bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në të ardhmen, veçanërisht në realizimin e prioriteteve për thellimin e procesit të decentralizimit me transferimin e kompetencave të reja dhe mjeteve financiare.
Ai ka kërkuar implementim më efikas të projekteve të filluara për çka do të ndihmojnë Ministria e vetëqeverisjes lokale me angazhim më të madh dhe përshpejtim të kornizave kohore.