I biri i Arkanit uron trajnerin e ri të Serbisë që e refuzoi përballjen me Kosovën: Je patriot i vërtetë, je serb me zemër të madhe


Veljko Raznatovic e uruar trajnerin e ri të Serbisë, Ljubisa Tumbakovic për postin e marrë dhe e ka konsideruar atë si një hero dhe patriot të madh pasi refuzoi ta drejtonte Malin e Zi në ndeshje me Kosovën, në kualifikimet e Evropianit 2020

Veljko Raznatovic, i biri i kriminelit serb, Arkan, e ka uruar Ljubisa Tumbakovicin, i cili u emërua trajner i ri i Serbisë.

Raznatovic e ka postuar një video në Instagram, përmes së cilës trajnerin e ri e konsideron patriot dhe serb me zemër.

“Vetëm desha ta uroj trajnerin e ri, Ljubisa Tumbakovic që u bë trajner i ri i ekipit kombëtar të Serbisë. Ai është një patriot i vërtetë dhe i ndershëm dhe nuk ka ndjenjë më të mirë sesa ta shfaqësh dashurinë e sinqertë për vendin nga thellësia e zemrës”, ka thënë fillimisht i biri i këngëtares serbe Ceca.

“Jam mjaft i lumtur që ishim në gjendje ta përmirësonim padrejtësinë që të është bërë ty. Të uroj fat dhe të gjitha të mirat në ekipin tonë. Je i madh doktor dhe t’i uroj krejt të mirat”, ka përfunduar Raznatovic.

Tumbakovic kishte refuzuar ta drejtonte ekipin kombëtar të Malit të Zi në ndeshje me Kosovën, e vlefshme për kualifikimet e Evropianit 2020 pas kërcënimeve që i kishte marrë nga Serbia.

Më pas ai ishte shkarkuar nga pozita e selektorit të Malit të Zi.

E tash vendi i tij e shpërbleu me pozitën e selektorit të Serbisë.