Edhe pse jo me intensitetin e vjetër, por megjithatë Moska edhe më tej do të tentojë të ndikojë në vend dhe rajon. Ky është vlerësimi i ekspertëve të cilët në Ohër ishin pjesë e Konferencës ndërkombëtare për siguri. Në mënyrë shtesë, thonë se nuk duhet të anashkalohet prezenca shumë më e madhe e Turqisë dhe Kinës, përmes investimeve të tyre në sektorë të ndryshëm.
Rruga jonë është drejt NATO-s dhe pres më shumë investime nga Gjermania dhe Franca. Franca e ka strategjinë e re për Ballkanin, e cila mbetet operative dhe do të fillojë të funksionojë në periudhën e ardhshme. Banka franceze për ripërtëritje që deri më tani ishte aktive vetëm në Kontinentin afrikan, tani do të jetë aktive edhe në Ballkan. Këto janë partnerët tanë strategjik dhe nuk janë Rusia dhe Kina. Ata përmes nesh, vetëm mund të realizojnë interesat e tyre gjeostrategjike- deklaroi Nikolla Dujovski- profesor universitar.
Duhet të mendojmë në suazat e raporteve Shkup- Bruksel pasi çdo anulim i proceseve të integrimit në Maqedoni në BE jep mundësi për ndikim më të madh të Rusisë dhe fuqive tjera si Kina apo Turqia. Për fat të keq, në BE nuk ka disponim të madh për zgjerim të shpejtë dhe çelje të shpejtë të bisedimeve. Kështu që, për momentin lihet hapësirë bosh- tha profesori universitar, Zhidas Daskallovski.
Kur jemi tek Maqedonia e Veriut, Rusia tashmë ka dështuar këtu. Ajo e zgjidhi kontestin e saj me Greqinë dhe është drejt hyrjes në NATO. Kur flasim për kontestin mes Kosovës dhe Serbisë, Rusia çdoherë e ka mbështetur Serbinë dhe as sot nuk e pranon Kosovën si shtet i pavarur. Në njëfarë mënyre, Rusia punon sipas parimit “përçaj dhe sundo” dhe është fara e përçarjes në rajon- theksoi Suzan Loftus- profesor i sigurisë nacionale.
Ekspertë nga Turqia vlerësojnë se vendi i tyre nuk do ta bllokojë Maqedoninë për hyrjen e saj në NATO.
Mendoj se është spekulim të flitet për diçka të këtillë. Qeveritë e Maqedonisë dhe Turqisë janë në kontakt të vazhdueshëm dhe do të bisedojnë për çështje të caktuara që në ndërkohë mund të paraqiten. Turqia që nga fillimi është mbështetëse e hyrjes së Maqedonisë në NATO dhe BE dhe për këtë mendoj se kjo çështje nuk duhet të jetë shqetësim- shtoi Selver Shahin- profesor universitar nga Turqia.
Konkluza nga Konferenca është se edhe krahas të gjitha ndikimeve nga jashtë, vendi patjetër të demokratizohet në të gjitha fushat dhe të shfrytëzohen të gjitha argumentet para aktorëve evropian për marrjen e datës për fillimin e negociatave.