Vëllai i El Çekës: Jemi kërcënuar nga policë


“Kjo protestë organizohet nga tërë populli, si dhe kemi mbështetje nga Shoqata “Atdheu”, Lëvizja “Për Shqipëri të Bashkuar” dhe Lëvizja “Euroatlantik Shqiptar” me qendër në Gjermani. Akuzat ndaj vëllait tim janë joligjore, sepse të njëjtin veprim e ka bërë edhe Zoran Zaevi, kurse ai me hyrjen në Qeveri e ndryshoi Ligjin, që mos të nxirren ai lloj përgjimesh, biseda private siç i quan ai”, tha Ahmeti.

Më tej ai ka theksuar se pengesa ndaj protestës ka shkuar deri në kërcënime nga ana e policëve të Stacionit Policor të Tetovës, ndaj tij, por edhe ndaj banorëve të qyteteve tjera të cilët janë penguar që vinë në Tetovë për të protestuar.

“Kemi marrë informacione se shumë njerëz që janë nisur nga Kërçova, Kumanova, Struga janë kërcënuar nga policia, Stacioni Policor në Tetovë, dhe janë bllokuar në disa vende, dhe nuk kanë mundur që të vijnë. Unë vetë kam qenë i kërcënuar, nga punonjësi policor, Ali Kasami. Ai më tha: Kush je ti që të vish nga Kërçova që të organizosh protestë në Tetovë?”, tha Ahmeti.

Përndryshe, kjo protestë u paralajmërua nga personi me emrin El Çeka i cili kohës së fundit, në rrjetin social “Fejsbuk” ka publikuar materiale të përgjuarat të ashtuquajtura “bomba” ku dëgjohen duke biseduar pjesëtarë të partisë politike shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim.