Kryetari i kolegjeve dhe instituteve të Forcave Ushtarake të Katarit, Hamad bin Ahmed al-Nuaimi, tha se vendi i tij planifikon të themelojë një “qytet” i cili ekskluzivisht do t’i përkushtohet edukimit ushtarak, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një intervistë për revistën e Ministrisë së Mbrojtjes, al-Nuaimi tha se qyteti i planifikuar do të përfshijë “institute, qendra dhe institucione edukative ushtarake, bashkë me objekte për trajnim dhe sport”.
Ai theksoi se projekti është “një hap i madh” për ushtrinë e Katarit.
Al-Naimi gjithashtu paralajmëroi disa iniciativa tjera, duke përfshirë edhe planet për të formuar akademi të lartë për shkenca ushtarake dhe një kolegj për luftë.
“Forcat e Armatosura të Katarit kohët e fundit kanë bërë hapa të rëndësishëm, si në aspekt të armatimit ashtu edhe të personelit ushtarak”, tha ai.
Në mes të vitit 2017, një aleancë e udhëhequr nga Arabia Saudite vendosi embargo ndaj Katarit duke akuzuar se Katari mbështet organizata terroriste.
Doha në mënyrë të ashpër ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa këtë embargo e karakterizoi si “shkelje të ligjeve ndërkombëtare”.