Prokuroria Publike Speciale ka harxhuar 195.3 milionë denarë apo mbi 3,2 milionë euro gjatë vitit 2018. Kjo nënvizohet në raportin vjetor të këtij institucioni.
“Realizimi i përgjithshëm i miratuar për buxhetin e vitit 2018 përfshirë me datën 31.12.2018 është 195.321,542 denarë ose 85.43% nga buxheti i kësaj prokurorie. Në vitin 2018 nuk janë realizuar 14.57% ose 33.311,458 denarë të cilat më datë 31.12.2018 janë tërhequr në buxhetin e Republikës së Maqedonisë”, thuhet në raportin e Speciales.
Ndërkohë që në periudhën prej 15 shtator 2018 deri më 31 dhjetor 2018 janë harxhuar mjete në vlerë prej 76.437,440 denarë ose 33.34% nga buxheti i miratuar. Gjatë gjashtë muajve të fundit, Prokuroria Speciale Publike ka analizuar thuajse 835 mijë porosi SMS. Janë kontrolluar më shumë se gjysma e tyre. Një numër i madh i porosive SMS tashmë paraqesin dëshmi në rastet që procedohen nga Gjykata Penale.
Në Raport gjithashtu thuhet se mbi 600,000 skedarë audio me biseda, janë pjesë e një hetimi nga prokurorët specialë. Prej tyre në fazën përfundimtare të përpunimit janë 95 për qind e materialeve, thotë raporti. Në raportin e shtatë gjashtëmujor theksi vihet në hard diskun e dorëzuar që është vërtetuar se është nga DSK-ja. Prokurorët specialë gjatë gjashtë muajve të fundit kanë hapur 81 procedura parahetimore. Me iniciativë të tyre, janë hapur 14, dhe pjesa tjetër në bazë të një parashtruesi tjetër.
Nga PSP presin që së shpejti të miratohet edhe ligji me të cilin si institucion i pavarur do të integrohen në prokurorinë publike. Gjatë periudhës së analizuar, PSP ka shpenzuar pak më shumë se një milion e dyqind mijë euro ose rreth 33 për qind të buxhetit të miratuar.