(VIDEO) LITUANIA VENDI I 8-TË QË RATIFIKON PROTOKOLLIN PËR ANËTARËSIMIN E MAQEDONISË NË NATO

Parlamenti i Lituanisë sot me 92 vota “pro” dhe me asnjë kundër e ratifikoi Protokollin për Inkuadrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO. Në seancën plenare mori pjesë edhe kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Ai gjatë fjalimit të tij para deputetëve lituanes, tha se me  aktin e ratifikimit të Protokollit qasës, Lituania e konfirmoi në vepër mbështetjen e sinqertë dhe pa rezervë ndaj vendit. Ai po ashtu, tha se të gjitha institucionet shtetërore dhe të gjithë faktorët shoqëror po bëjnë përpjekje maksimale dhe po kontribuojnë në drejtim të përmbushjes së reformave të nevojshme për anëtarësim të plotfuqishëm në NATO dhe integrim në BE.

Talat Xhaferi
 “Duke i pasur parasysh pengesat mirë të njohura, u përqendruam në mënyrë maksimale në përmbylljen e çështjeve që e ngarkonin rrugëtimin tonë kah arritja e këtyre qëllimeve tona, nënshkruam Marrëveshje për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim me Republikën e Bullgarisë dhe e nënshkruam Marrëveshjen përfundimtare për zgjidhjen e kontestit me emrin me Republikën e Greqisë. Nuk ishte aspak lehtë mirëpo, arsyeja, vizioni për ardhmëri të sigurt dhe prosperuese ngadhënjyen, ngadhënjyen për të mirën e qytetarëve, për të mirën e shtetit a edhe të gjithë rajonit”.

Xhaferi paraprakisht pati takim me shefin e diplomacisë të Lituanisë, Linas Linkeviçius, i cili e përsëriti përkrahjen e Vilnusit për integrimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe në BE. Linkeviçius shprehu kënaqësi që Lituania është mes vendeve të para të NATO-s që e ratifikon Marrëveshjen, si dhe për ndihmën që si pjesë e Grupit Vilnuis ia jep vendit në procesin e integrimit në Aleancë. Ai e përshëndeti edhe Marrëveshjen historike të Prespës e cila i hapi dyert Shkupit drejt NATO-s dhe BE-së dhe e përforcoi stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Shefi i diplomacisë lituaneze u shpreh se vendi në qershor do të fillojë negociatat për anëtarësim në BE.

Lituania është vendi i tetë anëtar i NATO-s që ratifikoi protokollin qasës për anëtarësim. Për anëtarësim të plotëfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, nevojitet që protokollin ta ratifikojnë kuvendet nacionale të të gjitha 29 vendeve anëtare.T