Pesë ditë pa ujë një nga lagjet më të mëdha të Tetovës


Që prej pesë ditësh, rreth 1000 shtëpi të lagjes Mirçe Acev në Tetovë janë pa ujë për pije. Shkak për mungesën e ujit, është dëmtimi i gypit që furnizon lagjen me ujë por edhe i njëjti bllokohet. Banorët ankohen se Ndërmarrja Publike, në vend se ta ndërroj atë dhe ta zgjidh problemin në afatgjatë, ata vetëm e pastrojnë dhe problemi kohë pas kohe përsëritet.

“Pikë uji që nuk ka, është nga e premtja. Kemi qenë te ndërmarrja, na kanë dhënë premtime premtimet janë shumë të mëdha presim sot nesër të vinë ta hapin gropën të bëjnë intervenim. Tash do hyni ta shihni, krejt me bidona jemi me kova. Ne edhe para të premtes nuk kemi pasur ujë por vinte nga pak në mëngjes bënim diçka kurse prej të premtes krejtësisht është ndërprerë”.

“Ky nuk është problem i sotëm. Ne kemi problem më se dhjetë vite, vinë e pastrojnë por këto gypa janë vendosur para 60 vitesh dhe janë shkatërruar. Duhet ti ndërrojnë thonë do vijmë dhe nuk vinë”.

“Ujin me kova e sjellim, ujin për pije përmes hidroforëve, vinë uji nga pak por shumë pak”.

“Jemi ankuar shumë herë, na thonë do të vijmë dhe nuk vinë. Disa raste na drejtojnë te ujësjellësi, shkojmë atje na thonë shkoni në komunë”.

Të kontaktuar në ndërmarrjen publike komunale thonë se së shpejti do të intervenohet në këtë lagje.

Ekipet e ndërmarrjes intervenojnë rregullisht në pastrimin e gypit në lagjen Mirçe Acev, por shkaku i gypave të vjetruar, vjen sërish deri tek bllokimi i tyre. Ndërmarrja publike komunale, së shpejti do intervenojë në disa pjesë edhe më nderimin e tërësishëm të gypave të dëmtuar – thonë nga Ndërmarrja Publike Komunale, Tetovë.

Kreu i bashkësisë lokale të lagjes Abaz Ameti ka tentuar që kërkesën t`ia dorëzoj edhe kryetares së Komunës Teuta Arifi, por sipas tij, që prej një viti atij nuk i japin termin për tu takuar me kryetaren. Përndryshe, problemin me mungesën e ujit shkaku i sistemit të vjetruar në qytet, e kanë edhe shumë lagje të tjera, për çka nga humbja e ujit, shpesh vjen deri tek ndërprerja e tij.