Gratë e festojnë 8 Marsin, numrat për barazi gjinore janë dëshpëruese


Gratë sot e festojnë 8 Marsin si ditë e luftës për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. Mirëpo për fat të keq, gjithkund në botë dhe në vendin tonë, ato akoma ballafaqohen me mohimin e të drejtave të tyre, me diskriminim dhe dhunë. I vogël është numri i grave në funksionet udhëheqëse, ato nuk janë të përfaqësuara në mënyrë të barabartë në strukturat e sjelljes së vendimeve, ndërsa paguhen më pak se burrat për të njëjtën detyrë të punës.

Të dhënat që i publikoi Enti Shtetëror për Statistikë në publikimin “Gratë dhe burrat në Maqedoninë e Veriut” tregojnë se shkalla e punësimit në vitin 2017 te gratë ka qenë 34,6 dhe është dukshëm më e ulët në krahasim me atë të burrave 53,6. Gjithashtu, shkalla e aktivitetit te gratë është më e ulët dhe është 44,3, kurse dukshëm është më e lartë te burrat – 69,3.

Sipas Lidhjes së Odave Ekonomike, gratë në industrinë përpunuese dhe në tregti marrin për 17,9 për qind pagë më të vogël për vendin e njëjtë të punës me burrat, respektivisht do të duhet të punojnë 65 ditë plotësuese në vit për ta realizuar pagën e njëjtë me burrat.

Përqindja e pjesëmarrjes së grave dhe burrave në popullsinë e përgjithshme në vendin tonë pothuajse është e barabartë, respektivisht 49,9 për qind janë gra, ndërsa 50,1 për qind janë burra. Të dhënat tregojnë se gratë janë më jetëgjata respektivisht jetojnë 3,8 vjet më gjatë se burrat do të thotë 77,5 vjet, ndërsa burrat 73,7 vjet.

Nga ana tjetër, hulumtimi më i ri i OBSE-së i realizuar vitin e kaluar në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Mal të Zi, Kosovë, Serbi, Bosnjë e Hercegovinë, Moldavi, Ukrainë dhe Kosovë, tregon se 70 për qind e grave kanë përjetuar njëfarë lloj dhune. Rreth 16 mijë gra nga këto territore janë prekur nga njëfarë lloj dhune prej moshës së tyre 15-vjeçare. Hulumtimi tregon faktin se 60 për qind prej 15.000 grave të anketuara kanë qenë të keqpërdorura mendërisht nga partneri, ndërsa 45 për qind kanë qenë objekt i shqetësimit seksual.

Edhe përskaj asaj që numrat tregojnë se gratë akoma nuk janë të barabarta me burrat, megjithatë ato sot e festojnë Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Janë organizuar një numër i madh ekspozitash dhe ngjarje humanitare të përkushtuara për gruan dhe për luftën e saj për barazi me burrat.

“Në “Dare Xhambaz” do të mbahet bazar humanitar të shoqatave të zejtarisë së Shkupit, ndërsa në organizim të Qendrës kulturore për fëmijë “Karposh” do të mbahet ekspozita me temë “Vizatoj për nënën time” në të cilën fëmijët e institucioneve parashkollore do të përpunojnë kartolina dhe vizatime se si i mendojnë nënat e tyre dhe rolin e tyre në shoqëri. Artistja Doroti Paçkova në parkun “Gruaj luftëtare” do ta prezantojë ekspozitën “Grua Luftëtare” ndërsa në galerinë “Ko-ra” do të hapet ekspozita “Muhabete grash” e artistes Gordana Vinçiq.

Populli në këtë ditë tradicionalisht u dhuron lule grave, nënave, gjysheve……..

Dita Ndërkombëtare e Gruas është ditë ku shënohet lufta e grave për barazi ekonomike, politike dhe sociale me burrat. Historia e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas është e lidhur me emrin e Klara Cetkin dhe Roza Luksenburg. Dita e parë e gruas është shënuar më 28 shkurt të vitit 1909 në SHBA me iniciativë të Partisë Socialiste në Amerikë. Në vitin 1920 në Kopenhagë është shënuar Konferenca e parë ndërkombëtare e grave dhe asaj është vendosur të shënohet Dita Ndërkombëtare e Gruas, mirëpo pa u konfirmuar datë e saktë. Vitin e ardhshëm, më 19 mars të vitit 1911 kjo festë për të parën herë është festuar nga ana e më shumë se një milion njerëz në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër.

Biljana Anastasova – Kostiq