Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Mars, për herë të parë zhvillohet në Shqipëri Festivali Ndërkombëtar i Filmit për Gruan. 6 filma dhe dokumentarë, vendas dhe të huaj do të shfaqen në kinema. Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, e cila është organizatore e këtij festivali bashkë me UN Women në Shqipëri, ka deklaruar se ky është një aktivitet i ri që vjen në një moment shumë të veçantë, sepse prej kohësh në shoqërinë dhe mediat tona është trajtuar një tematikë që më shumë se temë është kthyer në problematikë. Dhuna ndaj grave, sensibilitetet që janë të lidhura me pozicionin e femrës në Shqipëri, janë bërë tepër të animuara.“Ky festival sjell një mesazh të fortë, si një domosdoshmëri në trajtimin problematik nëpërmjet artit dhe kinematografisë. Kjo e fundit krijon një impakt emocional, që mund të ndikojë në shtresëzimin e një kulture kolektive. Do doja që të shfrytëzoja rastin për të gjitha institucionet, publike dhe private, që të bashkojnë forcat edhe të krijojnë mundësi financiare për të mbështetur iniciativa të tilla. Dita e festës së grave mos të jetë një ftesë që merr trajtën e piknikut, por të trajtohet edhe në forume të tilla, siç është kinemaja”, ka tha Ilir Butka, drejtor i Qendrës Kinematografike Kombëtare të Shqipërisë.
Në mesin e gjashtë filmave sa do të shfaqen gjithsej për publikun janë edhe dy filmat nga Kosova “Tri dritare dhe një varje” i regjisorit Isa Qosja dhe “Ajo” i regjisores More Raça. Filmat e tjerë të huaj janë “Die Fremde”, “Jaha’s Promise”, “ Netizens” dhe “Ivan”.“Ajo që dua të theksoj është se nuk është vetëm Festivali i Gruas në Shqipëri, por që kjo është një temë universale, që ndodh në çdo vend të botës. Vëmendja ndaj dhunës ndaj grave edhe vajzave duhet që të jetë një prioritet në Shqipëri, sepse një ndër dy gra ka përjetuar të paktën një formë dhune gjatë jetës së saj. Vetëm vjet 5000 raste janë raportuar në polici. Në rajonin e Ballkanit Shqipëria është vendi me prevalencën më të lartë të dhunës me bazë gjinore, sidomos në zonat rurale”, deklaroi Giuseppe Belsito, përfaqësues i “Un Women”.
Dokumentare dhe filma me metrazh të gjatë dhe të shkurtër, nga kinematë vendas dhe të huaj, do të shfaqen falas në Kinema Milenium