PSP do të inkorporohet në PTHP dhe do të jetë kompetente për profilin e lartë të korrupsionit dhe krimit


Prokuroria Speciale Publike (PSP) në të ardhmen do të jetë pjesë e Prokurorisë Themelore Publike, por në mënyrë autonome dhe të obligueshme të ndjek profilin e lartë të korrupsionit dhe krimit dhe të jetë kompetente për ndjekjen e funksionarëve të zgjedhur apo emëruar, parashikon Propozim-ligji i PSP-së që u miratua nga Qeveria dhe për miratimin e së cilës duhet shumicë prej dy të tretave në Kuvend.

“PSP e meritoi vendin në institucionet e shtetit. Krahas asaj që do të vazhdojë të punoj me mandat të pakufizuar, më me rëndësi është që rrjedha e lëndëve që i ka punuar deri tani nuk do të përfundojë me asnjë vendim ligjor. Kjo do të thotë se pa dallim nëse ne do t’i punojmë lëndët e caktuara ose Prokuroria për krim të organizuar, të gjitha lëndët janë aktive dhe punohen”, deklaroi dje Prokuroja e speciale Katica Janeva.

Prokurorja potencoi se nga momenti i parë ka thënë se “bombat” gjithmonë ishin problematike, që në momentin kur nuk u pranuan nga ana e gjykatës si mjete dëshmuese. Theksoi se PSP gjithmonë në procedurat e saj hetimore dhe parahetimore është munduar të mbledhë aq sa mundet më shumë materiale dëshmuese dhe deklarata nga dëshmitarët për ngjarjet konkrete të lidhura me “bombat”.

“’Bombat’ i kanë lehtësuar dhe sqaruar disa punë në lidhje me dëshmitë tjera materiale dhe verbale, por vlerësoj se edhe mënyra e punës pa ‘bombat’ është sfidë për prokurorët special publik dhe do të mundohemi të jemi në lartësi të detyrës”, deklaroi Janeva.

Ministrja e Drejtësisë Renata Deskoska tha se ende nuk është konfirmuar shumica e nevojshme prej dy të tretave për miratimin e ligjit në Kuvend, por shtoi se në nivel të koalicionit qeveritar kanë arritur marrëveshje për tekstin që siç potencoi, i jep qëndrueshmëri të plotë PSP-së, e shndërron në organ të përhershëm nuk ofron asnjë lloj amnistie të fshehtë.

Sipas asaj, në pajtueshmëri me ligjin vazhdojnë të gjitha procedurat e filluara para PSP-së dhe që janë në fazën e akuzës apo fazën e hetimit apo para hetimit, me të cilat dëshmitë e mbledhura në bazë të këtyre procedurave mbeten të vlefshme.

Për prokurorin shtetëror publik Lubomir Joveski, ligji i ri për prokurori publike, në të cilin është inkorporuar PSP, përmban dispozita të mira të cilat mundësojnë funksionim të mëtutjeshëm të PSP-së dhe PP-së.

“Për atë të cilën nuk do të mund të veprojë PSP-ja, ndërsa që do të mund të zhvillohet, do ta ndërmarrë prokuroria kompetente, në pajtueshmëri me veprën penale për të cilën zhvillohet procedura”, tha Joveski.