Në shtëpinë e Agollit, 5 ditë pasi Sadija shkoi te Dritëroi


(Foto të rralla nga shtëpia e Agollit)

Nga Blerina Gjoka

Rikthehem në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli dy dekada pas vizitës time të parë, atehërë një gazetare e re që me ndroje trokita për intervistë. Atë ditë vere, derën ma hapi Sadija, e shoqja, dhe më ofroi të ulesha në dhomën e pritjes pranë një tryeze rrumbullake që i ngjante një sofre, ku shkrimtari me flokët e thinjur po gjerbte kafenë e mëngjesit e gotën e rakisë. Ajo ditë do të kthehej në një kujtim të pakrahasueshëm për mua, e ndërsa sot ngjis të njëjtat shkallë, derën e gjej të hapur kanat më kanat.

Shtëpia që unë kam ruajtur në kujtesë me pikturat që varen në murin ngjyrë vishnje nga tavani në dysheme, tryeza-sofër, e atmosfera gati surreale e objekteve antike në mes të cilave qendron një shqiponjë si mbi folenë e saj në shkëmb, janë njësoj, por mungon zëri i ngjirur i shkrimtarit dhe lëvizjet e Sadijes që sjell kafenë dhe ndërkohë flet, gjithmonë duke treguar diçka për Dritëroin.

Dritëroi u largua para dy vitesh nga jeta, por kjo shtëpi e ruante akoma gjysmën e tij për aq kohë sa Sadija, shoqja e tij e jetës, ishte gjallë.

Por para 5 ditësh ajo u nda nga jeta papritur duke lënë një boshllëk që nuk mbushet më në këtë hapësirë të vogël që njohu një histori të madhe dashurie, miqësie dhe përkushtimi që ndoshta vetëm muret e këtij apartamenti dhe pikturat që janë varur në to mund ta tregojnë siç duhet.

Kjo shtëpi i ka hapur dyert dhe pret e përcjell njerëz që nga dita e martë. Tymi i duhanit dhe era e kafes e rakisë ndihet që në koridor. Ikja e Sadijes ndihet më fort se ajo e Dritëroit, sepse të gjithë që i njihin besonin se Dritëroi kishtë ikur vetëm fizikisht, shpirtin e tij, fjalët e tij, kujtimet qëndronin si një aureolë pranë Sadijes, e cila nuk i ishte ndarë prej 53 vitesh bashkëshortit të saj.

Çdo gjë në këtë shtëpi, që nga mobiljet, pikturat, e deri tek ngjyra e mureve është dëshmi e shijeve të Dritëroit. Tryeza e madhe rrumbullake në mes të sallonit të pritjes ruan akoma tespijet e syzet e shkrimtarit. Kolltuku ku ai ulej qëndroi bosh disa muaj pas ikjes derisa Sadija mori guximin dhe ulej aty në vendin e të shoqit, sikur po i lutej që ta merrte me vete. Për dy vite rrallë doli nga shtëpia, nuk flinte pothuajse fare, fliste vetëm për Dritëroin, njeriun me të cilin u njoh kur ishte një vajzë e re 21 vjeçare, për tu bërë dashuria e tij e madhe, shoqja e tij e jetës, nëna e fëmijëve të tij, daktilografistja, redaktorja e punimeve të tij.

“Kjo shtëpi që prej ditës së parë që çifti Agolli ka jetuar këtu, ka qenë me derën e hapur për të njohur e të panjohur. Dritëroi ishte një shqiptar tipik që priste këdo në shtëpi, hante e pinte me ta. Sadija e dinte këtë dhe kurrë nuk u mërzit duke pritur e përcjellë miq të vjetër apo miq të saponjohur të bashkëshortit të saj”, na tregojnë familjarët.

Çdo bujtje në këtë shtëpi lidhet me një portret të shkrimtarit në mur. Portreti i madh në cep nga dritarja është dhuratë nga një miku të shkrimtarit nga Tropoja. Në vitet ’60 ai kishte mbetur në Tiranë pa hotel dhe shkrimtari e kish marrë me vete në shtëpi për t’u bërë miq të përhershëm. Vera Blloshmi ka vënë firmën mbi dy portretet e tjera të Dritëroit e Sadijes duke u dhënë atyre rininë e përhershme në murin përballë kolltukut ku rrinte shkrimtari. Ajo ka jetuar dikur disa kohë në këtë shtëpi, gjithashtu e ftuar prej tyre. Një tjetër portret në mozaik me guralecë është dhuratë nga piktori matjan Myftar Cubi. Edhe për atë ka një histori. Dritëroi e ndihmoi të gjente punë dhe të blinte telajo e bojëra në një kohë të vështirë për piktorin, na tregojnë familjarët.

Në çdo pikturë varur në këto mure rëndon një kujtim, një miqësi.

Shtëpia ku kanë jetuar çifti Agolli është një muze i gjallë, jo vetëm i jetës së një shkrimtari të dashur e një poeti popullor, por e jetës së dy njerëzve që kanë ditur që dashurinë e përkushtimin për njëri-tjetrin ta përcillnin tek çdo njeri që i njihnin.

Pak para vdekjes vetë Sadija e kishte hedhur idenë që shtëpia të kthehej në muze, por duket pak e vështirë për t’u realizuar për momentin pasi aty jeton djali i tyre me gruan e fëmijët. Është një shtëpi e mbushur me kujtime njerëzore për ta.

Pallati me kube pas Hotel Tirana (15-katëshi) ishte pallati më i famshëm i para viteve ’90 në Tiranë. Jo pse kishte një arkitekturë pak të veçantë, por sepse në 6 katet e tij banonin shumë njerëz të famshëm të kohës. Nuk kishte një pallat tjetër në Tiranë që të kishte kaq shumë artistë që nga shkrimtari më i njohur i kohës Ismail Kadare, shkrimtari Dritëro Agolli, kompozitori Feim Ibrahimi,etj..

Sot ky pallat ka mbetur si një grehinë jetime në cep të lulishtes pas Pallatit të Kulturës, ndërsa një rrugë e re e madhe e ndërtuar vitet e fundit si nevojë e zgjerimit të qytetit e ka lënë atë si në ishull. Ngjyra e hirtë që ka marrë nga vitet nuk ia zbeh shkëlqimin e njerëzve që kanë jetuar këtu.

Në katin e dytë ku ka banuar Kadareja punimet për ta kthyer në muze kanë nisur dhe pse ajo është bosh, i ka humbur kujtimet e gjalla të kohës kur tingujt e makinës së shkrimit dëgjoheshin në koridorin e ngushtë të pallatit.

Nga një vrimë e hapur në mur gjatë punimeve shihet një biblotekë me raftet bosh, ndërsa një kat më lart studioja e Agollit ruan akoma erën e bojës së shkrimit të fjalëve të fundit të tij që ai shkroi.