Kandidati presidencial i përbashkët i 31 partive në Maqedoni të Veriut, Stevo Pendarovski, pas Kongresit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), është promovuar edhe në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), transmeton Portalb.mk.
Pas kësaj, i shoqëruar nga zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, kandidati presidencial Pendarovski para selisë së BDI-së, në Reçicë të Vogël tha se promovimi i tij është bërë edhe nga BDI-ja, dhe disa parti të tjera të vogla të cilat i ka vizituar ai sot.
Pendarovski tha se puna e parë që duhet të bëhet nga ai, dhe sidomos partitë politike, është që të kemi zgjedhje si kristali, që do të ndikonin pozitivisht edhe në vlerësimin e Këshillit Evropian, për marrjen e datës për nisjen e bisedimeve qasëse në BE, dhe anëtarësim të plotfuqishëm të Maqedonisë së Veriut në NATO.
“Këtë fundjavë të gjitha partitë që e kanë dhënë mbështetjen për mua, sot duhet që formalisht të promovojnë mbështetjen e dhënë. Tash në Reçicë erdha nga Shkupi, ku LSDM-ja e promovoi gjithashtu, dhe në disa parti të vogla gjithashtu ishte, që ta promovojë konceptin tim, që tashmë 20 vjet është i njohur për publikun e Maqedonisë, e që është “Maqedonia për të gjithë”, ku nuk ka të drejtë të kemi shef, qytetarë të rendit të parë apo të dytë, me privilegje për një komunitet apo për tjetrin. Me këtë koncept kam marrë pjesë në vitin 2014 dhe në vitin 2016. Puna dhe detyra e parë në këto zgjedhje nuk është se nuk duhet të shikohet se kush do të fitojë, por se në Këshillin e Evropës ne të tregojmë se mund të realizojmë zgjedhje si kristale, pavarësisht se a do të jem unë apo edhe Bujari. Duhet të dëshmojmë se do t’i përdorim të gjitha kapacitetet, më së shumti liderët partiak që të japin gjithçka, sepse Maqedonia duhet të shkojë përpara”, tha Pendarovski.