Elbasan, sekuestrohet 10 tonë mish në një dyqan, dyshohet i kontaminuar

AKU ka bllokuar në Elbasan një biznes i cili tregtonte produkte mishi pa etiketë dhe pa licencë nga QKL.

“Nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u referuan materialet hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për shtetasin E.L, 42 vjeç, banues në lagjen “5 Maji”, Elbasan, për veprën penale “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industrialë dhe ushqimorë”, thotë njoftimi zyrtar.

Nga kontrolli i ushtruar nga policia në bashkëpunim me AKU, në lagjen “5 Maji”, në biznesin e 42-vjeçarit i cili tregton e përpunon produkte mishi, ka rezultuar se ky subjekt tregtonte e përpunonte produkte mishi i pa pajisur me licencë nga QKL, si dhe pa etiketë produkti, transmeton Gaezeta Shqip.

Në këtë subjekt u bllokuan nga specialistët e AKU, 978 kg mish derri, 3840 kg kofshë pule, 3920 kg fileto pule, 37 kg mish viçi, 111 kg qofte dhe 645 kg gjiro gici , produkt i gatshëm, për analiza të mëtejshme pasi dyshohen si të kontaminuara.